BALLKANI

Thaçi: Sa më parë të themelohet qeveria e re

Presidenti i Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hapë rrugë formimit të qeverisë së re të Kosovës

Agim Sulaj  | 29.05.2020 - Përdıtësım : 29.05.2020
Thaçi: Sa më parë të themelohet qeveria e re ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila i jep të drejtë themelimit të qeverisë së re me kandidatin për kryeministër Avdullah Hoti, bëri thirrje që sa më shpejtë të themelohet qeveria e re, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, Thaçi tha se vendimi i Kushtetueses e konfirmoi se “Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë politik në vend”.

“U konfirmua se vullneti i qytetarëve i përfaqësuar, janë të gjitha partitë jo vetëm vullneti i një partie. Tani, duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë qeveri funksionale, efektive dhe efikase. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha institucioneve, të gjitha partive politike, të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Thaçi.

Më tej, Thaçi u bëri thirrje liderëve politik e institucional që të përqendrohen "në atë që është kryesorja për qytetarët e Kosovës, të sjellim zhvillim dhe prosperitet për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

“Të përqendrohemi në tejkalimin me sukses të pandemisë COVID-19, por edhe të punojmë sa më shpejtë, se edhe kështu jemi të vonuar në rimëkëmbjen ekonomike”, tha Thaçi.

Mbrëmë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë reaguar krerë të partive e udhëheqës partiakë e institucionalë.

Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ministrja në detyrë e Drejtësisë nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e ka quajtur vendimin skandaloz. “Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit! Vendim skandaloz”, ka shkruar Haxhiu në rrjetet sociale.

Në anën tjetër, kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti, e ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses.

Përmes një shkrimi ai tha se “Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët. Bashkë me miqtë tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE-në, do të punojmë me përkushtim për jetësimin e aspiratave tona për integrime euroatlantike”.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se të gjitha palët duhet ta respektojnë këtë vendim.

“Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e qeverisë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ftuar partitë politike të vazhdojnë traditën e krijuar deri më sot në respektimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Nisma Socialdemokrate mirëpret Aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese dhe fton të gjitha partitë politike të vazhdojnë traditën e krijuar deri më sot në respektimin e Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Limaj. 

Në aktgjykimin e saj të publikuar mbrëmë, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i presidentit i datës 30 prill për t'ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatin e ri për formimin e qeverisë nuk është në kundërshtim me kushtetutën, siç kishte pohuar Vetëvendosje në kërkesën e saj për shqyrtim nga ana e gjykatës.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin u votua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash më 3 shkurt, ndërsa më 25 mars nëpërmjet një mocioni të mosbesimit të organizuar nga partneri qeverisës i Vetëvendosjes, LDK, u votua pro rrëzimit të saj. Që nga 25 marsi, qeveria ka vazhduar punën në detyrë. Gjatë kësaj kohe, Vetëvendosje vazhdimisht ka deklaruar se qeveria e re e vendit duhet të formohet përmes zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.