Analizë, BALLKANI

Gjersa bota lufton me COVID-19, Kosova në luftë për pushtet

Kosova, e cila bashkë me Malin e Zi ishte një ndër shtetet që më së voni raportoi raste me COVID-19, u shndërrua në qendër të "grindjeve për fron" në kohë të pandemisë

Dzihat Aliju  | 06.06.2020 - Përdıtësım : 16.06.2020
Gjersa bota lufton me COVID-19, Kosova në luftë për pushtet

Shkup

DZIHAT ALIJU

Në një periudhë kur e gjithë bota lufton me koronavirusin e ri (COVID-19), Kosova, vendi më i ri i Evropës që lufton me krizë politike, pas rreth tre muajsh më 3 qershor fitoi qeveri të re, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i ri i qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku bëjnë pjesë edhe Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate, Lista Serbe si dhe pjesëtarë të partive të minoriteteve në vend, u bë Avdullah Hoti. Kështu, ai u bë kryeminisri i pestë i vendit pas pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar pak vite, përkatësisht 12 vite që nga pavarësia, Kosova deri më sot shkoi në shtatë zgjedhje parlamentare (katër prej të cilëve të parakohshme). Qeveria aktuale u formua pasi presidenti i vendit Hashim Thaçi e emëroi si mandatar Avdullah Hotin nga LDK, partneri i koalicionit të qeverisë së kaluar, të shkarkuar me anë të një vote mosbesimi. Në dritën e të gjitha këtyre zhvillimeve, në opinionin publik po diskutohet jetëgjatësia e qeverisë së re në Kosovë, e cila në periudhën e fundit shpeshherë ka ndryshuar ekzekutivin.

Si erdhi deri këtu?

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, qeveria e koalicionit mes Vetëvendosjes (VV), partia me më shumë vota të fituara, si dhe LDK-së, partia e dytë, erdhi në detyrë pas rreth 4 muajsh. Dy partitë ishin dakorduar pas bisedimeve të gjata se kujt do t'i takojnë dhe si do të jetë ndarja e posteve të kryetarit të kuvendit, zv/kryeministrave dhe ministrave. Glauk Konjufca nga VV, i cili më parë ishte zgjedhur kryeparlamentar, kishte dhënë dorëheqje duke u emëruar Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kurse Vjosa Osmani, kandidatja për kryeministre e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme, ishte zgjedhur kryeparlamentare.

Kosova, e cila bashkë me Malin e Zi ishte një ndër shtetet që më së voni raportoi raste me COVID-19, në vend që të luftojë me virusin, u shndërrua në qendër të "grindjeve për fron". Zbatimi i programit politik dhe lufta kundër COVID-19 e Albin Kurtit, i cili nga opozita dhe partneri i tij LDK u shpall si "person i padëshirueshëm", për një periudhë shumë të shkurtër prej 50 ditëve mbeti në gjysëm.

Ajo që shkaktoi fillimin e ngjarjeve ishte kur Kurti shkarkoi Agim Veliun, Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga radhët e LDK-së, me arsyetimin se nxiti panik të panevojshëm te qytetarët gjatë fillimit të përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe se kundërshtonte qëndrimin e kryeministrit në lidhje me shpalljen gjendjes së jashtëzakonshme. Më pas, ish-kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi se për shkarkimin e Veliut nuk është konsultuar, dhe më pas u inicua mocion mosbesimi në kuvend për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Kurti. Kreu i LDK-së gjithashtu theksoi se Kurti po rrezikonte marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në, duke mos e hequr tarifën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

LDK dhe disa parti kryesore politike, në drejtim të kërkesës nga SHBA, për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kërkonte që Kosova të heqë dorë nga tarifa ndaj fqinjit të saj. Megjithatë, Albin Kurti ishte i mendimit që zbatimi i tarifës 100 për qind në fjalë do të ishte në interes të vendit të tij të ndërrohet me "reciprocitet ekonomik dhe politik".

Qeveria e mëparshme e Kosovës në vitin 2018 për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina vendosi të zbatojë tarifë 100 për qind, për arsye të propagandës serbe kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. Por qeveria e Kurtit në prill të këtij viti kishte vendosur që tarifa të hiqet gradualisht dhe në vend të saj të zbatohet reciprociteti. Qeveria e Prishtinës kishte përjashtuar Bosnjë dhe Hercegovinën nga reciprociteti, duke hequr tarifën ndaj mallrave nga ky vend.

Në kuadër të politikës së reciprocitetit, muajin e kaluar qeveria kosovare vendosi që të mos lejohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që mohojnë shtetin e Kosovës. Në këtë drejtim, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Në dritën e të gjitha këtyre zhvillimeve, koalicioni qeveritar VV-LDK, për shkak të kontestve mes tyre, u rrëzua me një mocion mosbesimi në kuvend, rreth dy muaj pasi erdhi në detyrë. Më pas, presidenti Hashim Thaçi emëroi Avdullah Hotin nga LDK, partia e dytë e zgjedhjeve të fundit, për të formuar qeverinë, por ky vendim kishte hasur në reagimin e VV-së, e cila e çoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Disa ditë më parë, gjykata njoftoi se vendimi i Thaçit nuk është i jashtëligjshëm, me ç'rast u hap rruga për votimin e qeverisë së re në kuvend.

Çka do të ndodhë tani?

Në axhendën e Kosovës në një të ardhme të afërt nuk parashihen zgjedhje ose zgjedhje të parakohshme. VV, e cila tashmë është parti opozitare, sipas anketave gëzon mbështetjen e popullit, por nuk posedon ndonjë platformë ku mund ta testojë këtë tezë.

VV nga kjo javë njoftoi protesta në mbarë vendin. Ajo gjithashtu filloi mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhje të reja, por është çështje kurioziteti se sa do të jetë e suksesshme në qëllimin përderisa COVID-19 është tema kryesore.

Ndërkohë, dënimi i Etem Arifit, deputet nga radhët e komunitetit të ashkalinjëve, me një vit e tre muaj burgim për një krim (mashtrim me subvencione) shkaktoi habi. Sipas kushtetutës së vendit, personat që dënohen me një vit e më tepër, humbin statusin e deputetit. Në këtë drejtim, qeveria e re e cila mori votëbesim me numra të votave ku luan rol edhe vetëm një votë, vë në dyshim vlefshmërinë e qeverisë së re. Nëse rikujtojmë, qeveria e re kishte ardhur në detyrë me votën e shumicës absolute në kuvend. Është çështje kurioziteti se çka do të bëjë VV në lidhje me rastin. Nëse nuk merret vendim për zgjedhje të parakohshme, vendi pritet që të zgjedh presidentin në vitin 2021, ndërkaq, zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2023.

Qeveria Hoti dhe marrëdhëniet me Turqinë

Politikani kosovar është lindur më 4 shkurt 1974 në Rahovec. Ai ishte kandidat për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017, ndërsa mes viteve 2014-2017 ishte Ministër i Financave. Në qeverinë e kaluar ishte zv/kryeministër, ndërsa mbetet të shihet se si do ta qeverisë qeverinë e re të koalicionit.

Në mars të vitit 2018, Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës kishte realizuar një goditje të rëndë ndaj strukturës së Organizatës Terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Ballkan, duke sjellë në Turqi gjashtë punonjës të nivelit të lartë të organizatës. Në këtë periudhë, u organizua një seancë e jashtëzakonshme në kuvend për hetimin e rastit, me kërkesën e LDK-së dhe VV-së që ishin parti opozitare, si dhe nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Në seancë të jashtëzakonshme, rekomandimet e propozuara nga LDK u miratuan me 59 vota pro dhe një abstenim nga 64 deputetë sa ishin të pranishëm në sallën e kuvendit. Rekomandimet ishin si në vijim:

"E para, formohet komisioni hetimor parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datën 29 mars 2018. E dyta, kërkohet nga grupet parlamentare që brenda tre ditësh të dërgojnë në kryesinë e kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision. E treta, në funksion të ndriçimit të plotë të kësaj çështjeje, kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që lidhen me çështjen në fjalë t’u përgjigjen kërkesave të komisionit hetimor dhe e katërta, kuvendi mandaton komisionin hetimor të shqyrtojë përputhshmërinë e procedurave të ndjekura, në bazë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi".

Hoti, i cili atëkohë ishte Shefi i Grupit Parlamentar i partisë së tij, kishte theksuar: "Ne të gjithë u shtangëm nga lajmi se gjashtë shtetas turq ishin kidnapuar në pikë të ditës. Ata u depërtuan me urgjencë në Turqi. AKI (Agjencia e Kosovës për Inteligjencë) kishte kërkuar revokimin e lejes së qëndrimit pasi sipas saj përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Departamenti për shtetësi të njëjtën ditë kishte revokuar lejen e qëndrimit. Për shkak të deportimit me urgjencë, ata nuk kanë pasur mundësi të ankesës".

Ai më tej u shpreh se imazhi i Kosovës është dëmtuar seriozisht, pasi konventat ndërkombëtare ndalojnë rreptësisht dëbimin e shtetasve në vendet ku rrezikohet trajtimi i tyre.

"Tentimi për shfuqizimin e ligjeve të specializuara dhe deportimi i shtetasve turq krijon pasiguri te qytetarët dhe miqtë tanë perëndimorë. Shteti i Kosovës, me orientim të qartë euro-atlantik, duhet të ruajë rendin kushtetues dhe të sigurisë, shtyllat e demokracisë dhe orientimit gjeostrategjik. Të gjitha këto janë cenuar të enjten e javës që shkoi, përmes interferimit të Ambasadës Turke, apo edhe të vet Presidentit Erdogan, në jetën politike e institucionale të Kosovës".

Në këtë kontekst, çështje tjetër që mbetet të shihet është se çfarë marrëdhënie do të ketë qeveria e re me Turqinë. Në prapaskenat diplomatike flitet që ky qëndrim i Hotit buron nga fakti se në atë periudhë ishte në opozitë, ndërsa në periudhën e re me përgjegjësi të pushtetit do të zhvillojë marrëdhënie të mira me Turqinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.