BALLKANI

Kosovë, shënohet 9 Maji – Dita e Evropës

Ambasadori Szunyog tha se Dita e Evropës mbart një mesazh uniteti, solidariteti dhe harmonie

Agim Sulaj  | 09.05.2024 - Përdıtësım : 10.05.2024
Kosovë, shënohet 9 Maji – Dita e Evropës Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Me aktivitete të ndryshme në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, u shënua 9 Maji – Dita e Evropës, raporton Anadolu.

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka organizuar një sërë ngjarjesh për fëmijë dhe të rinj me rastin e kësaj dite në sheshin qendror "Zahir Pajaziti" në Prishtinë. Manifestimi u hap nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ambasadori Szunyog tha se Dita e Evropës mbart një mesazh uniteti, solidariteti dhe harmonie, duke simbolizuar misionin e BE-së për paqe dhe prosperitet në gjithë kontinentin evropian.

"Siç e shihni, tema e sotme është - Përjetimi i Evropës - si vazhdimësi e fushatës për të eksploruar Evropën pas liberalizimit të vizave. Liberalizimi i vizave është një nga momentet më të ndritura në marrëdhëniet BE-Kosovë, shpresoj se do të ketë më shumë", tha ambasadori Szunyog.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ky manifestim me rastin e Ditës së Evropës synon të kremtojë frymën evropiane që pulson në Prishtinë, në zemër të Kosovës dhe që e lidh Kosovën me BE-në dhe nxit dëshirën e kosovarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Ashtu siç filloi projekti evropian me shtetet fqinje evropiane që lanë me një anë dallimet nga e kaluara, ashtu edhe ne këtu në Kosovë po punojmë që të përqafojmë të njëjtën frymë. Bashkimi Evropian ishte dhe mbetet partneri qendror në zhvillimin tonë dhe ne jemi thellësisht mirënjohës për këtë. Ne tashmë jemi në pragun e një epoke të re, të vendosur për ta kapur këtë mundësi historike me të dyja duart", tha Rama.

Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, në Prishtinë do të hapet një ekspozitë me piktura të fëmijëve në Shtëpinë e Evropës si dhe do të mbahen performanca të ndryshme artistike në sheshin "Zahir Pajaziti" dhe në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın