BALLKANI

Kosovë, organizohet program mirënjohjeje për Prof. Dr. Nimetullah Hafiz

Duke folur në emër të YTB-së, nënkryetari Murat Kazanci theksoi se për shumë vite janë realizuar projekte të shumta për mbrojtjen e gjuhës turke dhe trashëgiminë e saj tek brezat e ardhshëm

Agim Sulaj, Eren Beksaç  | 11.11.2025 - Përdıtësım : 11.11.2025
Kosovë, organizohet program mirënjohjeje për Prof. Dr. Nimetullah Hafiz Foto: Erkin Keçi/AA

Prizren

Në qytetin e Prizrenit u zhvillua një program mirënjohjeje për Prof. Dr. Nimetullah Hafiz, një prej figurave më të shquara të turkologjisë në Ballkan, raporton Anadolu.

Ngjarja u mbajt në sallën “DokuKino” në qendër të Prizrenit dhe u ndoq nga nënkryetari i Drejtorisë për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet e Mike (YTB), Murat Kazanci, kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Abdullah Eren, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në Kosovë, Prof. Dr. Nimetullah Hafiz me familjen e tij, si dhe të ftuar të tjerë.

Ceremonia nisi me shfaqjen e një materiali dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë e Prof. Dr. Nimetullah Hafiz.

Në hapje të programit, u shprehën ngushëllime për ushtarët që ranë dëshmorë në rrëzimin e avionit ushtarak transportues në kufirin Gjeorgji–Azerbajxhan.

Duke folur në emër të YTB-së, nënkryetari Murat Kazanci theksoi se për shumë vite janë realizuar projekte të shumta për mbrojtjen e gjuhës turke dhe trashëgiminë e saj tek brezat e ardhshëm.

“Një nga figurat madhore që i ka kushtuar jetën mësimdhënies dhe gjallërimit të gjuhës turke është profesori ynë i nderuar, Nimetullah Hafiz. Si YTB, në vitin 2023 kemi pasur nderin t’i dhurojmë atij ‘Çmimin e Nderit për Jetën’ për kontributin e tij si i diplomuar në Turqi. Punimet e tij në fushën e turkologjisë kanë qenë gjithmonë frymëzim për ne”, deklaroi Kazanci.

Ai shtoi se YTB-ja do të vazhdojë të organizojë projekte dhe aktivitete që kujtojnë personalitete të tilla të mëdha dhe ua përcjellin veprat e tyre brezave të ardhshëm.

Në fjalën e tij, kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, theksoi se pas Luftës së Dytë Botërore, në hapësirën ballkanike ka pasur personalitete të rëndësishme që kanë luajtur rol thelbësor në ruajtjen dhe forcimin e identitetit turk. Ai nënvizoi se Prof. Dr. Nimetullah Hafiz përbën një pjesë të rëndësishme të kujtesës historike të turqve të Ballkanit dhe të turkologjisë.

“Në të gjitha anët e Ballkanit, në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Greqi, Bullgari e Rumani, kemi pasur figura të vyera që kanë shkruar, menduar dhe ëndërruar turqisht, duke punuar për të ruajtur gjallërinë e gjuhës dhe identitetit turk. Profesor Nimetullah Hafiz është në krye të këtyre personaliteteve”, tha Eren.

Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunc Angili, theksoi se përveç kontributeve të tij në fushën e turkologjisë dhe shkencës akademike, Prof. Dr. Hafiz ka dhënë gjithashtu ndihmesa të rëndësishme kombëtare për turqit e Ballkanit dhe botën turke në tërësi.

Ndërkaq, ministri Fikrim Damka vuri në dukje rolin e madh të profesor Hafizit në promovimin e komunitetit turk të Kosovës në Turqi dhe në arenën ndërkombëtare.

Pas fjalimeve, aktiviteti vazhdoi me një sesion paneli dhe përfundoi me diskutime mbi veprën e profesor Hafizit.

Në kuadër të ngjarjes u promovua edhe vepra “Prof. Dr. Nimetullah Hafiz Armaganı”, e përgatitur me mbështetjen e YTB-së dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Ballkanike të Studimeve të Turkologjisë (BAL-TAM). Libri përbëhet nga dy vëllime dhe përmbledh jetën, karrierën akademike dhe kontributet e Hafizit në fushën e turkologjisë në Ballkan, si dhe studime origjinale mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën turke, duke ofruar një pasqyrë gjithëpërfshirëse të ndikimit të tij shkencor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın