BALLKANI

Kosovë, organizohet forumi rajonal me temë liberalizimin e vizave

“Ne kemi bërë çdo gjë që duhej të bënim, kemi bërë çdo gjë që ka qenë në duart tona. Azilkërkuesit kosovarë nuk janë në listat kryesore të azilkërkuesve të Evropës as në ato të Francës”, tha Çitaku

Agim Sulaj  | 20.09.2021 - Përdıtësım : 21.09.2021
Kosovë, organizohet forumi rajonal me temë liberalizimin e vizave Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Organizata joqeveritare "The Balkan Forum" ka organizuar konferencë rajonale me temë “Jo regjimit të vizave: Koha për të vendosur qytetarët në rend të parë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila ishte e pranishme në konferencën rajonale, në fjalën e saj tha se mos liberalizimi i vizave deri më tani për kosovarët është i papranueshëm. Sipas saj, Kosova ka plotësuar dyfish më shumë kritere për liberalizim të vizave se sa vendet e tjera të rajonit dhe ka bërë gjithçka të mundur nga ana e saj "për të shtruar një komunikim të mirëfilltë për këtë çështje, por liberalizimi nuk ka ndodhur ende".

“Ne kemi bërë çdo gjë që duhej të bënim, kemi bërë çdo gjë që ka qenë në duart tona. Azilkërkuesit kosovarë nuk janë në listat kryesore të azilkërkuesve të Evropës as në ato të Francës. Nuk mendoj se njerëzit në Paris rrinë natën vonë, duke u merakosur për atë se a ka Kosova regjim vizash apo jo”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se sikur në vitin 2015 t’i thoshte dikush se edhe gjatë vitit 2021 do të flitej për liberalizim vizash për Kosovën, atë do ta quante atë të çmendur për shkak se sipas saj liberalizimi ishte kontratë e sigurt mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE).

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila është përkrahëse e madhe e procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët, tha se po bën çfarë është e mundur për të eliminuar të gjitha pengesat drejtë finalizimit të këtij procesi.

“Shpresa ime është që vitin e ardhshëm në Francë do të shohim progresin, por sinqerisht unë jam e irrituar ashtu sikurse ambasadorja (Çitaku), por do të jem shumë realiste se çfarë mund të bëjmë dhe për çfarë mund të shpresojmë, por pa dyshim shumica e shoqërisë franceze nuk është mjaftueshëm e ndjeshme për këtë çështje me rëndësi”, tha Cramon.

Megjithëse shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, muaj më parë ka deklaruar se Kosova meriton të marrë liberalizimin e vizave pasi që ka përmbushur të gjitha kriteret, Franca ka qenë kundërshtarja kryesore e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën me arsyetimin se “nuk i ka përmbushur të gjitha garancitë e kërkuara”.

Gjermania, e cila kryesoi presidencën e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2020, nuk e kaloi çështjen e liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të BE-së përkundër optimizmit të madh të Kosovës se aleati evropian do ta bënte një gjë të tillë.

Heqja e regjimit të vizave për kosovarët është parë me skepticizëm edhe për vitin 2021, kur presidencën e Këshillit të BE-së e kryesoi Portugalia, të cilën po e pason Sllovenia në gjysmën e dytë të këtij viti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.