BALLKANI

Kosovë, besimtarët e besimit katolikë kremtojnë festën e Krishtlindjes

Ipeshkvi Gjergji në meshën solemne theksoi rëndësinë e kësaj feste si një moment reflektimi dhe falënderimi ndaj Zotit, duke u ndalur veçanërisht te nevoja për paqe, drejtësi dhe bashkim mes njerëzve

Agim Sulaj  | 25.12.2025 - Përdıtësım : 25.12.2025
Kosovë, besimtarët e besimit katolikë kremtojnë festën e Krishtlindjes Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Me rastin e Ditës së Krishtlindjes, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne me pjesëmarrjen e besimtarëve katolikë dhe përfaqësuesve institucional, raporton Anadolu.

Në Katedralen “Nëna Terezë”, mesha qendrore e Krishtlindjes u udhëhoq nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Gjatë fjalës së tij, Ipeshkvi Gjergji theksoi rëndësinë e kësaj feste si një moment reflektimi dhe falënderimi ndaj Zotit, duke u ndalur veçanërisht te nevoja për paqe, drejtësi dhe bashkim mes njerëzve.

Ai ngriti shqetësimin për gjendjen globale, duke theksuar se bota po përballet me kriza të thella morale, luftëra, padrejtësi dhe varfëri, të cilat po dëmtojnë rëndë shpresën e brezave të rinj.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila uroi besimtarët katolikë me rastin e festës, tha se Krishtlindja përcjell mesazhe shprese, paqeje dhe solidariteti, vlera që, sipas saj, e karakterizojnë bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Kosovë.

Osmani ka theksuar rëndësinë e respektit të ndërsjellë dhe unitetit shoqëror.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përcjellë urime për këtë festë, duke vënë në pah traditën e tolerancës fetare në vend dhe duke theksuar se Krishtlindja është një rast për reflektim, mirëkuptim dhe angazhim të përbashkët për mirëqenie dhe paqe.

Në Ditën e Krishtlindjes po ashtu në mbrëmje do të mbahet mesha në Kishën e “Shën Ndout” në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Krishtlindja, si festa më e madhe e krishterimit, festohet çdo vit në natën ndërmjet 24 dhe 25 dhjetorit, duke sjellë mesazhin e shpresës dhe besimit për një të ardhme më të mirë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.