Në Katedralen e restauruar të Zagrebit u mbajt mesha e Krishtlindjes pas pesë vitesh
Kryepeshkopi i Zagrebit, Drazhen Kutlesha tha se restaurimi i katedrales nuk simbolizon vetëm një proces ndërtimor, por edhe forcën e komunitetit
Zagreb
Në Katedralen e Zagrebit, e restauruar pjesërisht dhe e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2020, u mbajt mesha solemne e Krishtlindjes pas pesë vitesh, e cila u udhëhoq nga kryepeshkopi i Zagrebit dhe presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Kroacisë, Drazhen Kutlesha, raporton Anadolu.
Në kremtimin solemn liturgjik morën pjesë një numër i madh besimtarësh, zyrtarë të lartë kishtarë si dhe përfaqësues të lartë të shtetit kroat, përfshirë kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, kryeministrin Andrej Plenkoviq dhe anëtarë të Qeverisë.
Pas pesë vitesh, siç tha imzot Kutlesha, të "heshtjes, punës, pritjes dhe pasigurisë", besimtarët u mblodhën sërish në katedrale, të cilën e përshkroi si "të lënduar, por të gjallë; të papërfunduar, por dinjitoze".
Kutlesha theksoi se restaurimi i katedrales nuk simbolizon vetëm një proces ndërtimor, por edhe forcën e komunitetit. "Tërmeti e lëkundi gurin, por nuk e rrëzoi besimin", tha ai duke theksuar se katedralja, pavarësisht gjurmëve të restaurimit, mbetet simbol i shpresës, këmbënguljes dhe lidhjes së popullit kroat.
Duke folur për identitetin kombëtar, kryepeshkopi tha se populli kroat gjatë historisë ka qenë "shpesh i lënduar, por jo i thyer; i tronditur, por jo i braktisur", duke nënvizuar rëndësinë e rrënjosjes në themelet shpirtërore dhe kulturore. Ai rikujtoi jubile historike dhe theksoi se "qëndrueshmëria e një kombi nuk buron nga fuqia politike, por nga ruajtja e identitetit, dinjitetit dhe shpresës".
Në predikimin e tij, ai përcolli edhe një mesazh më të gjerë për Evropën, duke paralajmëruar për humbjen e vlerave dhe pasigurinë identitare. Ai theksoi se Evropa "do të mund ta gjejë rrugën e saj vetëm nëse rihapet ndaj rrënjëve të veta dhe dritës që e ka formësuar", duke paralajmëruar për rrezikun e relativizimit të së vërtetës dhe humbjes së kuptimit.
Kryepeshkopi vuri në pah mesazhin e Krishtlindjes për shpresë, solidaritet dhe përgjegjësi, duke theksuar se Krishtlindja nuk është vetëm traditë, por thirrje për rinovimin e jetës dhe shoqërisë. "Drita nuk zhduket, ajo e mposht errësirën me besim dhe besnikëri", tha Kutlesha duke uruar Krishtlindjen për të gjithë besimtarët.
Restaurimi i Katedrales së Zagrebit, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2020, është një nga projektet më komplekse dhe më kërkuese konservuese-ndërtimore në Kroaci, në të cilin marrin pjesë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.
Punimet në katedrale përfshijnë sanimin statik, restaurimin e kullave, përforcimin konstruktiv si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sakrale ndërsa procesi zgjat prej vitesh me hapje fazore të hapësirave për besimtarët dhe publikun.
