Agim Sulaj
10 Tetor 2023•Përditësim: 11 Tetor 2023
Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor është organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë Kongresi Ndërkombëtar "Shëndet mendor, sfidat dhe e ardhmja", raporton Anadolu.
Me një pjesëmarrje prej rreth 200 psikologëve nga Kosova dhe Shqipëria dhe vendet tjera të rajonit, u diskutua në këtë kongres për rëndësinë e shëndetit mendor, sfidat e këtij sektori shëndetësor dhe të ardhmes.
Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Ilir Havolli tha se për gjashtë vite të themelimit të këtyre shoqatave asnjëherë nuk janë ndalur që t’u dalin në ndihmë njerëzve në nevojë. Ai u bëri thirrje institucioneve të punojnë më shumë për shëndetin mendor si dhe qytetarët të vetëdijesohen në lidhje me rëndësinë e shëndetit mendor.
"Çdo ditë e më shumë po vërtetohet se shëndeti mendor është fundamenti i shëndetit fizik. Duhet që popullatën ta vetëdijësojmë çdo ditë e më tepër për rëndësinë e shëndetit mendor, ku hapi kryesor në këtë drejtim do të ishte reforma dhe rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve shëndetësorë", tha ai.
Njëri nga neuropsikiatrët e parë në Kosovë, profesori universitar Ferid Agani tha se para 23 vjetëve në Kosovë kanë qenë vetëm tre psikologë ndërsa sot numri i tyre është mbi një mijë. Ai bëri thirrje që sa më shpejt të themelohet edhe Oda e Psikologëve të Kosovës.
"Emocionet janë të mëdha ngase prej tre psikologëve para 23 vjetësh, sot kemi më shumë se një mijë psikologë. Plani strategjik për shëndetin mendor që e përmenda, ka themeluar një sistem të tëre, në shërbim të plotë të shëndetit mendor, gjë që nuk ka ekzistuar në Kosovë para luftës", theksoi Agani.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se është evidente që konteksti ekonomik e social i vendit ndikon në mirëqenien e përgjithshme, e për rrjedhojë rëndon më tepër kategori specifike të shoqërisë, shpesh jo vetëm personin e prekur por edhe rrethin familjar dhe më gjerë.
"Shtetet obligohen të sigurojnë qasje në shërbime për shëndetin mendor, kushte, ushqim, strehim të përshtatshëm për nevojat e personave që janë diagnostikuar me sëmundje të tilla, apo të atyre që kanë probleme të kësaj natyre, por që nuk dinë apo nuk gjejnë ku duhet të drejtohen për të marrë shërbimet e nevojshme", theksoi Qelaj.
Ai tha se Avokati i Popullit, në punën e tij, në pajtim me mandatin dhe përgjegjësitë që ka, ka ngritur në vazhdimësi, e me theks këtyre viteve të fundit, shqetësimin për situatën në të cilën ndodhen personat që i përkasin këtij komuniteti.
Qëllimi i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës dhe Shqipërisë është avancimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes Psikologëve dhe shoqërisë civile, promovimi i etikës së Psikologut dhe mbrojtja e të drejtës së tij sipas kësaj etike, mbrojtja e të drejtës së qytetarëve dhe konfidencialitetit të tyre, vetëdijesimi qytetar për rëndësinë e Psikologut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përcaktuar 10 tetorin e çdo viti si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, për të rritur ndërgjegjësimin dhe përpjekjet në mbështetje të shëndetit mendor në mbarë botën.