BALLKANI

Kosovë, PZAP-ja e aprovon si të bazuar ankesën e Listës Serbe

Sipas PZAP-së, qëndrimi i KQZ-së nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, gjithashtu sipas Rregullores Zgjedhore

Agim Sulaj  | 03.02.2026 - Përdıtësım : 03.02.2026
Kosovë, PZAP-ja e aprovon si të bazuar ankesën e Listës Serbe

Prishtinë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka aprovuar ankesën e partisë serbe Lista Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të mos e miratojë listën e kandidatëve për deputetë nga ky subjekt politik, raporton Anadolu.

PZAP-ja ka thënë se ankesa e Listës Serbe është e bazuar.

Sipas PZAP-së, qëndrimi i KQZ-së nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, gjithashtu sipas Rregullores Zgjedhore.

Tutje, PZAP-ja ka theksuar se nuk pajtohet me vendimin e KQZ-së për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura me 28 dhjetor 2025, për subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e saj.

PZAP-ja vlerëson se ky vendim është і pajustifikuar dhe në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore të sipër cekura, “kjo për faktin se duke pas parasysh se kanë përfunduar të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike, rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore pa përjashtim”.

Sipas PZAP-së, çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor.

“Andaj ky vendim është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu në kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, thuhet në vendim.

Nga shtatë ankesa gjithsej, përveç aprovimit të ankesës së Listës Serbe, PZAP-ja ka refuzuar gjashtë të tjerat, të cilat i ka konsideruar si të pabazuara.

Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive, përpos Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Vendimin e KQZ-së e kritikoi Bashkimi Evropian (BE) dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.