Sibel Vezaj
18 Dhjetor 2016•Përditësim: 19 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Në komunën e Drenasit (Gllogocit) sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës, ku garojnë Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, raporton Anadolu Agency (AA).
Për shkak të mosarritjes së 50 përqind të votave nga asnjëri nga kandidatët e këtyre partive, Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Isa Xhemajlaj nga NISMA në raundin e parë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 4 dhjetorit, komuna e Drenasit (Gllogocit) sot po shkon në balotazh.
Vendvotimet u hapën në ora 7:00 dhe sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) deri në orën 11:00 kanë votuar 3 mijë e 843 votues, apo 7.31 përqind.
Duke u mbështetur në informacione nga qendrat e votimit, sipas KQZ-së procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht. Ndërkaq, vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit (Gllogocit) erdhën pas dorëheqjes nga ky post të ish-kryetarit, Nexhat Demaku, pasi më 24 tetor Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e Themelores për të akuzuarit në rastin “Drenica 2”, ku Demakut iu vërtetua dënimi me tre vjet burgim për “krime lufte”.
Pas kësaj, Presidenti i Republikës së Kosovës, në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, duke respektuar afatet ligjore dhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive kryesore politike, kishte marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit, më 4 dhjetor 2016, kur edhe u mbajt raundi i parë i këtyre zgjedhjeve.