BALLKANI

Konferenca e Pestë Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të mbahet më 22 maj

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi dje qëndrimin e përbashkët të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë me 8 kapituj të rinj të grupimit të 3-të "Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse"

Fatjon Cuka  | 08.05.2025 - Përdıtësım : 08.05.2025
Konferenca e Pestë Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të mbahet më 22 maj

Tiranë

Konferenca e Pestë Ndërqeveritare midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Shqipërisë, do ta mbahet në 22 maj 2025, në Bruksel, ku do të hapen kapituj të rinj për negociatat e anëtarësimit, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Kryeministria e Shqipërisë thuhet se Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi dje qëndrimin e përbashkët të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë me 8 kapituj të rinj të grupimit të 3-të "Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse".

Sipas njoftimit, ky moment shënon një tjetër hap të rëndësishëm e historik përpara në negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Përfundimi me sukses i këtyre negociatave pritet të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve shqiptarë, si shërbime publike më të thjeshta dhe transparente, politika tatimore më të drejta të prirura për t'u bërë pjesë e tregut të vetëm të BE-së, mbrojtje më të forta për punëtorët dhe vende pune më të sigurta. Ky vendim e çon Shqipërinë më pranë realizimit të vizionit të Shqipërisë 2030, ku përfitimet dhe rezultatet e integrimit në BE mund të aplikohen direkt në jetën e përditshme", theksohet në njoftim

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024. Në prill në Luksemburg u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, duke u hapur kapituj të rinj në negociatat për anëtarësimin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.