Komisioni Evropian miraton agjendën e reformave të Bosnjë e Hercegovinës
Dokumenti është konfirmuar se përmbush kushtet kryesore për përdorimin e 976,6 milionë eurove nga Instrumenti i BE-së për reforma dhe rritje
Sarajevë
Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht agjendën e reformave të Bosnjë e Hercegovinës, një hap kyç për sigurimin e 976,6 milionë eurove nga Instrumenti i BE-së për reforma dhe rritje, raporton Anadolu.
Komisioni ka konkluduar se agjenda e reformave, e dorëzuar më 30 shtator të vitit 2025, i përmbush objektivat e rregullores për Instrumentin e Rritjes.
“Agjenda përcakton reformat prioritare për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital, forcimin e zhvillimit të sektorit privat, mbajtjen e talenteve si dhe forcimin e të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit. Tani i mbetet Bosnjë e Hercegovinës të nënshkruajë dhe të ratifikojë Marrëveshjen për Instrumentin dhe Marrëveshjen e Kredisë", njoftoi delegacioni i BE-së në BeH.
Shpërndarja e mjeteve për BeH-në, përfshirë edhe para-financimin, mund të fillojë vetëm pasi këto marrëveshje të hyjnë në fuqi dhe pasi të plotësohen të gjitha kushtet.
Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor përfaqëson një udhërrëfyes për afrimin e ekonomive të rajonit me BE-në. Ai përfshin 6 miliardë euro për investime në rajon, bazuar në parimin e investimeve dhe reformave.
Plani gjithashtu siguron përgatitjen për anëtarësim në tregun e përbashkët, gjë që do t’u mundësojë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të përfitojnë disa përfitime të hershme të integrimit evropian.
Shpërndarja e mjeteve do të kushtëzohet me zbatimin e suksesshëm të agjendës së reformave, e cila përfshin reforma në fusha themelore, si dhe reforma socio-ekonomike, në bashkëpunim me KE-në.
Me këtë miratim nga KE-ja, të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor tani kanë të miratuara agjendat e reformave dhe mund të përfitojnë nga instrumenti i BE-së derisa avancojnë në rrugën e tyre evropiane.
