Husamedin Gina,Abdula Berisha
23 Qershor 2021•Përditësim: 24 Qershor 2021
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, theksoi se ideja e madhe vizionare e një Evrope të bashkuar ka një problem, dhe problemi është vetë Bashkimi Evropian (BE), i cili nuk arriti të sigurojë integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Zaev zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin shqiptar Edi Rama në kuadër të Forumit të Parë Ekonomik në Shkup, në të cilën iu referuan bllokadës së Bullgarisë për të filluar bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.
Zaev, duke theksuar se vendimi i BE-së për të mos caktuar konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një zhgënjim i madh, tha se kjo është një dështim i madh për politikën e BE-së dhe për zgjerimin e saj, si dhe një mesazh i keq për gjithë rajonin.
"Evropa sot ka një problem, ideja e madhe vizionare e një Evrope të bashkuar sot ka një problem. Dhe problemi është vetë Bashkimi Evropian. Brukseli na ka porositur se Bashkimi Evropian nuk ka arritur të gjejë një mënyrë për të siguruar integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor. Ky është problemi", theksoi Zoran Zaev.
Duke deklaruar se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk do të jenë vetëm, e as nuk do të jenë të izoluara, Zaev tha se populli maqedonas dhe shqiptar para tyre kanë të njëjtën rrugë, të njëjtin vizion dhe të njëjtat vlera evropiane.
"Ne jemi Evropë, pavarësisht nëse Bashkimi Evropian arrin të heqë bllokadën ose jo. Popujt dhe qeveritë tona në mes të Ballkanit po demonstrojnë sjellje evropiane, ne po heqim me shpejtësi pengesat dhe kufijtë midis nesh në mënyrë që qytetarët, shërbimet dhe mallrat të lëvizin lirshëm", shtoi Zaev.
Mes tjerash, Zaev theksoi se me Ramën kanë një porosi për qytetarët e dy vendeve, por edhe për qytetarët dhe politikanët evropianë.
"Alarmi është kyçur. Thelbi dhe vlerat e Bashkimit Evropian janë vënë në diskutim. Vlerat evropiane janë të përbashkëta për vendet e Bashkimit Evropian, por edhe për vendet kandidate për anëtarësim që i pranojnë dhe zhvillojnë ato vlera", nënvizoi Zaev.
Ai gjithashtu tha se nuk do të dorëzohet dhe se do të shkojë përsëri në Sofje për të kërkuar një zgjidhje.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pavarësisht asaj që vendoset në Bruksel, do të vazhdojnë me të gjitha forcat të rrisin ekonominë dhe mirëqenien, por edhe krenarinë dhe forcën e dinjitetit të popujve.
"Bashkimi Evropian mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate për këto detyra, mund të caktojë data. Por BE-ja nuk cakton dot as vendndodhjen tonë në mes të Evropës, e as kulturën tonë dhe identitetin tonë evropian, e as të ardhmen e popujve tanë si popuj evropianë, në familjen evropiane, në shtete evropiane, me standarde politike, institucionale, ekonomike evropiane", tha Rama.
Ai theksoi se edhe BE-ja është e qëndrimit se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur pjesën e tyre sa u përket reformave të nevojshme.
"Për mua nuk ka ndodhur asgjë tjetër, përveçse Bashkimi Evropian ka dështuar përsëri të mbajë premtimin, t'i rrijë angazhimit dhe të jetë në qëndrimin e duhur", shtoi ai.