BALLKANI

Gjykata Speciale rrëzon mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve

- Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin

Agim Sulaj  | 16.07.2025 - Përdıtësım : 16.07.2025
Gjykata Speciale rrëzon mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar plotësisht mocionin e ekipit mbrojtës të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakupi Krasniqi dhe Rexhep Selimi, që kërkonte heqjen nga aktakuza të të gjitha incidenteve që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur në Kosovë, raporton Anadolu.

Mocioni i mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së kishte për qëllim të largonte përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.

Smith tha po ashtu se rregullat gjyqësore parashohin kundërshtim të pikave të aktakuzës si të tilla e jo kundërshtim të pikave të veçanta, siç ka bërë mbrojtja e të akuzuarve.

Sipas Smith, Rregulla 130 nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të rrëzuar pjesë të veçanta të akuzës që përmbajnë fakte materiale, nëse këto nuk përbëjnë akuza të pavarura.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130. Në fakt ato janë fakte materiale që kanë të bëjnë me akuzat dhe pikat në aktakuzë”, u shpreh ai.

Rregulla 130 në kuadër të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, flet për mocionet për rrëzimin e akuzave nga aktakuza para fillimit të procesit gjyqësor.

Ekipi i mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve sipas kësaj rregulle, mund të paraqesin kërkesë për rrëzimin e një apo më shumë akuzave specifike, nëse ka pretendime se provat e Prokurorisë nuk janë të mjaftueshme për t’i mbështetur ato akuza, me qëllim që të mos lejohet që një aktakuzë e pabazuar të kalojë në gjykim të plotë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin e Thaçit dhe të tjerëve më 15 prill 2025.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.