Deklarohet e pafajshme ish-gardiania e akuzuar për krime lufte në Kosovë
Në aktakuzë thuhet se Nadica Cvetkoviq bashkë me katër zyrtare të tjera të burgut, i kanë keqtrajtuar gratë e burgosura deri në alivanosje
Prishtinë
Ish-gardiania e akuzuar për krime lufte e cila shërbeu në burgun e Prishtinës dhe paralelen e tij në Lipjan, është deklaruar e pafajshme para trupit gjykues të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, transmeton Anadolu.
Deklarimin rreth fajësisë së saj, Nadica Cvetkoviq, e ka bërë pasi prokurori special Atdhe Dema e ka lexuar akuzën me të cilën e akuzuara ngarkohet.
Në aktakuzë thuhet se Cvetkoviq bashkë me katër zyrtare të tjera të burgut, i kanë keqtrajtuar gratë e burgosura deri në alivanosje.
"Duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje", thuhet në aktakuzë.
Tutje në aktakuzë thuhet se si pasojë e kësaj dhune të ushtruar, ashtu siç kanë shpjeguar edhe viktimat, pas këtyre rrahje ato kanë pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, derisa janë kanosur seriozisht për jetë dhe si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër Nadica Cvetkoviq më 16 janar 2026 për veprën penale "Krime lufte kundër popullatës civile".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
