BALLKANI

Shënohet 26-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës

Me aktivitete të ndryshme, 26-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës u shënua në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë

Bekim Buci  | 05.09.2025 - Përdıtësım : 05.09.2025
Shënohet 26-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës Foto: Erkin Keçi/AA

Shkup

Me aktivitete të ndryshme sot është shënuar 26-vjetori i themelimit të Policisë së Republikës së Kosovës, raporton Anadolu.

Ditëlindja e Policisë u shënua në sheshin "Zahir Pajaziti", ku pjesëmarrësve, fëmijë, prindër dhe pjesëtarë të policisë, iu bashkuan ministri Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Ministri i Brendshëm, Sveçla para të pranishmëve në shesh tha se ku ka më mirë që ditëlindjen e institucionit të policisë ta festojnë me fëmijë. Ai tha se disa nga fëmijët do të bëhen policë, ndërsa policia do të jetë partner i besueshëm në rrugëtimin e tyre.

"Rruga juaj do të kalojë nëpër sfida të ndryshme, por mbi të gjitha do të kalojë mbi kënaqësitë e fëmijërisë e të rinisë, do t'iu hedh në brigje të ndryshme. Disa nga ju do të bëheni policë, mjekë, disa të tjerë do të bëheni mësues, inxhinierë e profesionistë të fushave të ndryshme. Por, të gjithë qysh tani dhe të gjithë jetën do të keni një partner të besueshëm në këtë rrugëtim, e ajo është Policia e Republikës së Kosovës", deklaroi ministri Sveçla.

Ai theksoi se policia jo vetëm që ka obligim që t'iu përgjigjet në çdo moment, por ka edhe për detyrë që atë ta bëjë me dashurinë më të madhe.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se policia është ndër institucionet më të besuara në vend ndërsa shtoi se policia i ka dhënë vendit shumë heronj gjatë 26 viteve.

"Policia e Kosovës po mbush 26 vite dhe është institucion i besueshëm i vendit tonë dhe ndër institucionet më të respektuara në Kosovën e pasluftës. Policët tanë në mënyrë të jashtëzakonshme i kanë shërbyer vendit dhe qytetarëve gjatë këtyre 26 viteve. Në këto 26 vite ne i kemi dhënë Kosovës 26 heronj, të rënë në luftë kundër krimit, në luftë për integritet territorial dhe pavarësi të vendit tonë", deklaroi Hoxha.

Ai theksoi se do të vazhdojnë të punojnë fuqishëm që këtë përkushtim që e kanë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit ta çojnë tutje dhe njëkohësisht të avancojnë më tej në aspektin profesional.

Kujtojmë se më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi Shkollën e Policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın