Zülfiya Yakup
05 Mars 2019•Përditësim: 06 Mars 2019
Në kazermën e Forcave të Armatosura të Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë, sot u mbajt një ceremoni ushtarake me rastin e 21-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit dhe anëtarët e famijles Jashari dhe një umër i madh qytetarësh, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha si dhe Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit komandantit legjendar të UÇK-së, në fillim të ceremonisë vendosën kurora lulesh në obeliksin e luftëtarëve të rënë, pas çka dhe mbajtën fjalime.
Presidenti Thaçi në adresimin para të pranishmëve tha se Kosova kujton sakrificën e pashembullt të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, i cili bëri botën të kuptojë për Kosovën.
“Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptar. Sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, invalidët, veteranët dhe gjithë qytetarët që u sakrifikuan për çlirimin e Kosovës. Nderojmë diasporën, që dhanë gjithçka për liri”, tha presidenti Thaçi.
Ai kujtoi edhe spastrimin etnik të përmasave të gjenocidit nga Serbia, duke thënë se janë vrarë 13.500 civilë shqiptarë, janë kryer 400 masakra kundër shqiptarëve dhe janë përdhunuar 20.000 gra.
"Kjo është Epopeja e parë që Kosovën e pret me ushtri", tha Thaçi, për të shtuar se në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-s e Bashkimit Evropian, OKB-së me lidhje të forcuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga ana e tij rikujtoi marsin e vitit 1998, duke thënë se në mes të Evropës u shua një familje e tërë, por u zgjua bota.
Adem Jashari, tha ai, ka dhënë leksionin “vetëm një popull që është i gatshëm të mbrojë me çmimin e jetës e ka të ardhmen e sigurt”.
“Ushtria e Kosovës vjen në paqe dhe nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës, as në jug e as në veri. Me miqtë e Kosovës, Amerikën do t’ia dalim ta bëjmë Kosovën ashtu siç kemi dashur”, tha Haradinaj.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, vëllai i Ademit, Rifat Jashari, nga ana e tij tha se për herë të parë Kosova po e shënon këtë Epope me ushtrinë e saj, nga e cila kërkoi ta mbrojnë territorin ashtu siç e mbrojti UÇK-ja.
“Lavdi të gjithë atyre të cilët ranë dëshmorë dhe faleminderim SHBA-ve dhe shteteve mike të cilat na ndihmuan dhe besoj se do të na ndihmojnë sërish për të zgjidhur problemet që kemi”, tha Jashari.
Kujtojmë se Adem Jashari dhe mbi 50 anëtarë të familjes së tij u vranë nga forcat serbe të sigurisë në vitin 1998 në shtëpinë e tyre në Prekaz. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës në datat 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin treditor “Epopeja e UÇK-së” që mbyllet më Natën e Zjareve në Prekaz.