Sibel Vezaj
03 Dhjetor 2018•Përditësim: 04 Dhjetor 2018
PRISHTINË (AA) - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka arritur sot shifër rekorde duke shërbyer udhëtarin e 2 miliontë të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rekordi i arritur është shoqëruar me një ceremoni solemne të mbajtur në terminalin e ANP “Adem Jashari” me ç’rast është shpërblyer udhëtari i 2 miliontë me një biletë ktheyese njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun të Aeroportit.
“Kjo shifër është arritur për herë të parë brenda një viti qysh nga fillimi i funksionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të kompanisë Limak në krijmin e lehtësirave ndaj kompanive ajrore, mundësimin e infrastrukturës më të avancuar si dhe të shërbimeve shtesë të aeroportit, me qëllim të përhershëm në mbajtjen e kënaqshmërisë së udhëtarëve në nivelet më larta”, thuhet në komunikatë.
“Numri i udhëtarëve tanë po rritet në vazhdimësi dhe në të njëjtën kohë po mbajmë kënaqshmërinë e klientëve tanë në nivelet më të larta. Këto rezultate dëshmojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga projektet më të suksesshme të privatizimit në Evropë”, ka thënë me këtë rast, Gokmen Aritay, drejtor i operimeve në Limak Kosovo International Airport.
Njoftohet se deri në fund të vitit pritet që ANP “Adem Jashari” të frekuentojnë mbi 2 milionë e 150 mijë udhëtarë.
“Shtimi i shumë linjave të reja ka ndikuar në rritjen e shpejtë të numrit të udhëtarëve gjatë viteve të fundit. Në anën tjetër, linjat e reja të parapara si dhe stacionimi i kompanisë ajrore 'Germania' në Aeroportin e Prishtinës gjatë vitit të ardhshëm, pritet të ndikojnë dukshëm në vazhdimin e këtij trendi të rritjes”, njofton më tej Zyra për Marrëdhënie me Publikun të Aeroportit.
Kujtojmë se për rreth 7 vite aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës është në menaxhim të kompanisë turke Limak.