Figen Shaban
06 Mars 2017•Përditësim: 06 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot kanë bërë homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19- vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramiz Kelmendi, si dhe ministrat e kabinetit qeveritar, gjatë këtij homazhi ka përkujtuar sakrificën që një familje shqiptare ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari. Ne të gjithë vlerësojmë se vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e Shaban dhe Hamëz Jasharit, e familjes Jashari, janë vepra të cilat kapërcejnë kornizat e historive të flijimit të tillë për liri të vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër, që meriton respekt të veçantë te të gjithë ne dhe para së cilës ne përkulemi të gjithë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ndërkaq, në një njoftim nga Kuvendi thuhet se me këtë rast kryeparlamentari Veseli ka thënë se institucionet e Kosovës ende kanë shumë për të bërë, duke shtuar se "me besimin në gjakun e derdhur të këtyre luftëtarëve legjendar, Kosova do të bëhet shembull i zhvillimit."
"Kosova jonë, për të cilën këta heronj sakrifikuan, është duke ecur përpara, si shtet i pavarur dhe sovran. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës, por edhe frymëzimi për rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit", ka thënë Veseli.
Ndërkohë me datën 7 mars do të mbahet manifestimi përmbyllës me ritin e dëshmorëve dhe “Natën e Zjarreve” apo ndezjen e flakadanëve në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ndryshe, Adem Jashari dhe mbi 50 anëtarë tjerë të familjes së ngushtë dhe të gjerë, dhanë jetët e tyre në luftë kundër forcave serbe dhe ranë dëshmorë në betejën e Prekazit, nga 5 deri më 7 mars të vitit 1998.