Sibel Vezaj
05 Mars 2017•Përditësim: 06 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Me rastin e 19-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, në betejën e Prekazit të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, sot në Kazermën “Adem Jashari”, u organizua manifestimi qendror në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast, në këtë kazermë u mbajt ceremonia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë manifestim të pranishëm ishin presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri, Isa Mustafa, ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së si dhe qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi, në një fjalim rasti, tha se kjo ditë është një ndër ngjarjet më heroike të popullit të Kosovës, ku më 5 mars të vitit 1998, familja Jashari u përball me një makineri të pafund ushtarako-policore të serbëve. Sipas tij kjo rezistencë ka hyrë në analet e kombit shqiptar, si ndër sakrificat më madhore. Thaçi po ashtu u shpreh se asnjë qëndrim i caktuar i qarqeve jo dashamirëse nuk mund ta njollosë UÇK-në dhe shtoi se edhe të burgosurit e UÇK-së janë heronjtë e popullit e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti Thaçi tha se shumë shpejt, brenda kompetencave të tij kushtetuese do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, që transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të bëhet realitet, edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit.
“Nëpërmjet ligjit të ri për FSK-në, FSK do të ketë për mision që ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e RKS-së, si dhe të kontribuojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global", tha Thaçi.
Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij u shpreh se “Epopeja e UÇK-së” për çdo qytetar është festë e lirisë, atdhedashurisë dhe sakrificës sublime të Kosovës. Sipas tij, ky është shembulli se si fiton e mira ndaj të keqes. Para gjithë atyre që u flijuan për liri, sipas Mustafës, ky shtet duhet të duhet pa hile dhe të zhvillohet me punë.
Duke theksuar se e ardhmja e Kosovës është e sigurt, Mustafa tha se “Këtë përvjetor të Epopesë së UÇK-së po e shënojmë edhe me 114 njohje të shtetit tonë nga vende të ndryshme, të të gjitha kontinenteve, në anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare me synim në anëtarësim në BE, OKB dhe NATO."
Aktivitetet e shënimit të Epopesë së UÇK-së do të vazhdojnë edhe për dy ditë me radhë, ku nesër do të bëhen homazhe pranë varrezave të Familjes Jashari, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt. Më pas në Prishtinë do të mbahet edhe një akademi përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Ndërkohë, të martën më 7 Mars do të mbahet manifestimi përmbyllës me ritin e dëshmorëve dhe “Natën e Zjarreve” apo ndezjen e flakadanëve në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ndryshe, Adem Jashari dhe mbi 50 anëtarë tjerë të familjes së ngushtë dhe të gjerë, dhanë jetët e tyre në luftë kundër forcave serbe dhe ranë dëshmorë në betejën e Prekazit, nga 5 deri më 7 mars të vitit 1998.