Begaj: Shqipëria është plotësisht e angazhuar si një aleate e NATO-s
Komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së dhe komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, gjenerali Alexus Grynkewich vizitoi Shqipërinë në kuadër të Konferencës së Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës A-5

Tiranë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë zhvilluar takime të ndara me komandantin e Komandës Evropiane të SHBA-së dhe komandantin suprem të Forcave Aleate për Evropën, gjenerali Alexus Grynkewich, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka shkruar se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet e saj me SHBA-në dhe sipas tij është plotësisht e angazhuar si një aleate e NATO-s.
"Ne e vlerësojmë thellësisht praninë e SHBA-së në rajon, duke e konsideruar atë thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor", ka shkruar Begaj.
Në një njoftim nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë të publikuar në rrjetet sociale thuhet se Grynkewich është takuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë.
"Në konferencën me udhëheqësit ushtarakë të vendeve të Kartës së Adriatikut dhe në takimet e tij dypalëshe, gjenerali Grynkewich shprehu optimizëm për angazhimin rajonal në ndarjen e përgjegjësive në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimit dhe stabilitetit", thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Grynkewich vizitoi Shqipërinë në kuadër të Konferencës së 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A-5).