Kuvendi i Shqipërisë miraton programin dhe qeverinë e re
Vendimi "Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave" u miratua me 82 vota pro, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë

Tiranë
Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin dhe përbërjen e qeverisë së re të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ndërkohë seanca u shoqërua me debate dhe tensione, raporton Anadolu.
Vendimi "Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave" u miratua me 82 vota pro, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Seanca, e cila zgjati rreth 28 minuta, u shoqërua edhe me tensione dhe debate. Tensionet filluan pasi kryeministri Rama i kërkoi Kuvendit të shfaqë një mesazh të ministres së krijuar nga Inteligjenca Artificiale Diella për deputetët.
Deputetët e partisë më të madhe të opozitës kundërshtuan paraqitjen mesazhit të ministres virtuale Diella, duke e quajtur antikushtetuese, ndërkohë që për disa minuta bllokuan edhe foltoren dhe hodhën sende ndaj anëtareve të Këshillit të Ministrave.
Sipas dekreteve të presidentit Bajram Begaj, Belinda Balluku është emëruar zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Albana Koçiu është emëruar në postin e ministres së Punëve të Brendshme.
Elisa Spiropali është emëruar ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, Pirro Vengu ministër i Mbrojtjes, Petrit Malaj si ministër i Financave dhe Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Ministër i Mjedisit është emëruar Sofjan Jaupaj dhe Mirela Kumbaro Furxhi në postin e ministres së Arsimit, ndërsa Evis Sala ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Delina Ibrahimaj është emëruar si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Besfort Lamallari ministër i Drejtësisë dhe Andis Salla ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ervin Demo është emëruar ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Adea Pirdeni ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogu ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndërkohë, Majlinda Dhuka është dekretuar ministre Shteti dhe Kryenegociatore me Bashkimin Evropian.
Pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë, kabineti i ri qeveritar do të fillojë zyrtarisht detyrën.
Më 11 maj 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku partia në pushtet, Partia Socialiste, fitoi mandatin e katërt qeverisës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.