Fatjon Cuka
06 Nëntor 2015•Përditësim: 07 Nëntor 2015
TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti sot në një takim ministrin e Brendshëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Maiziere, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë thuhet se Rama dhe ministri gjerman de Maiziere vlerësuan bashkëpunimin mes vendeve në fushën e sigurisë dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili mbetet i një rëndësie parësore. Bashkëbiseduesit dakordësuan qëndrimin për thellimin dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare është thellësisht e angazhuar që të marrë pjesë dhe të ofrojë gjithë mbështetjen e saj, në përpjekjet e përbashkëta të komunitetit europian për të dhënë zgjidhjen më të mirë për çështjen e emigrantëve.
Gjithashtu Rama falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që Gjermania vijon t’i japë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke theksuar angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare, për të përmbushur me sukses objektivat e përcaktuara.