Saimir Alija
19 shkurt 2019•Përditësim: 20 shkurt 2019
TIRANË (AA) - Instituti “Yunus Emre” në Tiranë mbrëmjen e sotme organizoi bashkëbisedimin me temë “Turqia dhe ndihma humanitare ndërkombëtare”, ku i pranishëm ishte nënkryetari i parë i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Ismail Hakkı Turunç, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapje të aktivitetit, zv/ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, përshëndeti të pranishmit në emër të ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.
Turunç në fillim fjalës së tij foli rreth historikut, qëllimit të krijimit dhe misionit që ka Gjysmëhëna e Kuqë Turke brenda vendit, por edhe në operacionet humanitare në botë.
Në fjalën e tij, Turunç tha se Ballkani nuk është një vend i huaj për të, pasi tha se “ne punojmë vazhdimisht me miqtë tanë në Ballkan”.
“Me rastin e 150-vjetorit të themelimit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke jemi duke organizuar aktivitete të ndryshme si në Turqi ashtu edhe jashtë saj. Gjysmëhëna e Kuqe Turke po punon me organizata të tjera simotra në vende të tjera të botës. Jemi të detyruar të dimë rolin dhe përgjegjësinë që kemi në këtë botë. Nuk ka rëndësi cilës kulturë dhe nacionaliteti i përkasim, rëndësi ka të kuptojmë përgjegjësinë që ne na përket”, tha Turunç.
Sipas tij ka njerëz që jetojnë me pasuri në bollëk dhe ka njerëz që vdesin nga uria dhe shtoi se “Jemi të detyruar të hedhim hapat e duhur, duke marrë përgjegjësinë që na përket”.
Duke folur për Gjysmëhënën e Kuqe Turke, Turunç tha se ajo është një ndër organizatat më të mëdha ne botë.
“Mbi 70 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për arsye të luftës. 850 mijë njerëz kanë humbur jetën në Siri. 4 milionë refugjatë që ndodhen në Turqi nuk i kemi parë kurrë si refugjatë, por i kemi parë si njerëzit tanë të të njëjtit besim”, u shpreh Turunç.
Më tej gjatë fjalës së tij, Turunç nënvizoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka dërguar ndihma në shumë vende të ndryshme të botës.
“Unë kam shëtitur në 160 vende të botës si në Etiopi, Meksikë, Nepal, Japoni dhe Somali, sidomos në rajonet e fatkeqësive natyrore dhe katastrofave humanitare. Gjysmëhëna e Kuqe Turke është një institucion me karakter human jo vetëm në Turqi, por edhe në gjithë botën. Motoja jonë është që askush të mos vdesë nga mungesa e ushqimit dhe të mos ketë fatkeqësi natyrore dhe asnjë të mos ngelet në nevojë. Lufta dhe tërmetet e ndryshojnë jetën e njeriut. Gjysmëhëna e Kuqe Turke është gati t’i vijë në ndihmë çdokujt pa marrë parasysh fenë, kulturën apo nacionalitetin”, përfundoi Turunç.
Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş.
Kujtojmë se Gjysmëhëna e Kuqe Turke, por edhe institucione dhe organizata të ndryshme nga Turqia kanë ofruar ndihma në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit në rastin e fatkeqësive natyrore, si dhe për familjet në nevojë.
Instituti "Yunus Emre" në Tiranë ka organizuar në të kaluarën disa aktivitete të ngjashme me tema të ndryshme, si "Marrëdhëniet turko-shqiptare", “Turqizmat e përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”, "Përshtypje nga Turqia" dhe “E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja e turqishtes në Shqipëri”.