Figen Shaban
22 Maj 2018•Përditësim: 22 Maj 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se tendenca në rritje e populizmit e ekstremit të djathtë në Evropë nuk duhet të përdoret si justifikim për vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që të mos mbajnë hapur perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Presidentit thuhet se presidenti kosovar, i cili me ftesë të Këshillit Atlantik dhe qeverisë malazeze ka marrë pjesë në Forumin e Sigurisë "То be Secure" (2BS) në Budvë të Malit të Zi ka folur për perspektivën euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Thaçi gjatë fjalës së tij në Forum ka thënë se Mali i Zi shërben si frymëzim për tërë rajonin, duke mos u ndalur kurrë në angazhimin për integrime euroatlantike.
Ai ka uruar homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviç, për inaugurimin e tij dhe ka uruar atë dhe popullin malazez për Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, duke theksuar se 21 Maji është edhe Dita e komunitetit malazez në Kosovë.
"Ne në Kosovë jemi të lumtur që u bëtë pjesë e NATO-s vitin e kaluar. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Malit të Zi në NATO krijon një garanci më të madhe për stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në rajon”, ka thënë Thaçi duke shtuar se rritja e populizmit të krahut të djathtë është një tendencë në Evropë për momentin, por nuk është e vetmja.
Ai po ashtu ka theksuar se BE-ja e mbështetur nga NATO-ja, është projekti më i madh i paqes dhe më i suksesshmi deri më sot.
Sipas presidentit Thaçi, për pranimin e suksesshëm të Ballkanit Perëndimor në BE, nevojiten reforma të thella politike e ekonomike dhe harmonizim të AKUIS në Ballkanin Perëndimor, si dhe reforma të brendshme të BE-së paralelisht.
“Zgjerimi i BE-së nuk duhet të vihen në dyshim. Prandaj, mesazhi im kryesor është: tendenca në rritje e populizmit e ekstremit të djathtë nuk duhet të përdoret si justifikim për vendet anëtare të BE-së që të mos mbajnë hapur perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor”, ka nënvizuar ai.
Forumi i Sigurisë "То be Secure" (2BS) është ngjarje që ndihmon jo vetëm nxitjen e ideve të reja rreth sigurisë, por gjithashtu nxit edhe të menduarit taktik në përpjekjet për reforma në Evropën Juglindore, thuhet në njoftim.