Zülfiya Yakup
27 Prill 2017•Përditësim: 27 Prill 2017
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar se lirimi i Ramush Haradinajt nga ana e Gjykatës franceze është lajm i mirë për mbarë Kosovën. Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar hodhi poshtë sot kërkesën e Serbisë për ekstradimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), transmeton Anadolu Agency (AA).
Thaçi në profilin e tij të rrjetit social Facebook shkroi se sërish u dëshmua se akuzat e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme.
“Vendimi i Gjykatës së Colmar, që z. Haradinaj të kthehet në Kosovë është lajm i mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën. Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”, shkroi Thaçi.
Edhe Qeveria e Kosovës e ka përshëndetur lirimin Haradinajt.
Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se “duke vlerësuar se fletarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës Franceze është konfirmim se e drejta është në anën e Haradinajt dhe se fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta”.
Më tej thuhet se “duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë mbi përpjekjet manipuluese të shtetit serb, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen”.
Lirimin e Haradinajt e ka përshëndetur edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar: "Vendimi i Gjykatës në Colmar të Francës për lirimin e Ramush Haradinajt është lajm i gëzueshëm të cilin të gjithë e kemi pritur të ndodhë. Ndalimi i tij, mbi bazën e një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia ishte i papranueshëm dhe raste të tilla nuk duhet të përsëriten më. Z. Haradinaj i uroj kthim të mbarë në familje dhe vendin e tij".
Ndërkaq para selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në rrjedhë është festa për lirimin e liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj. Tek hyrja në godinë, ku ndodhet zyra e AAK-së në Prishtinë, janë mbledhur qytetarë, të cilët festojnë lirimin e Haradinajt me orkestër popullor.
Pas vendimit të Gjykatës, nga AAK njoftuan se vendimi i gjykatës ka sjellë lehtësim jo vetëm për Ramush Haradinajn, familjes dhe partisë së tij, por edhe mbarë popullit kosovar.
“Ndalja e tij në Francë për gati 4 muaj, ka qenë krejt e panevojshme dhe një përpjekje e hapur e Serbisë, që duke e vënë në lajthitje edhe Francën, ta destabilizojë Kosovën. Drejtësia edhe mund të vonojë, por ajo nuk mund të mos vihet në vendin e saj, siç ndodhi sot me Ramush Haradinajn”, thonë nga AAK.
Nga AAK theksojnë se Haradinaj sot kthehet në Kosovë dhe atij prej orës 19:00 do t’i organizohet një pritje madhështore në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë.