Fatjon Cuka
27 Prill 2017•Përditësim: 27 Prill 2017
TIRANË (AA) - Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përshëndet vendimin e Gjykatës së Apelit në qytetin francez Colmar, për të liruar Ramush Haradinajn, liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministër i Kosovës. Gjithashtu për këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për mediat, MPJ e Shqipërisë thekson se mirëpret dhe përshëndet vendimin për lirimin Ramush Haradinajt "duke e çliruar atë nga të gjitha akuzat e paraqitura nga autoritetet e Serbisë".
Në deklaratë thuhet se në këtë mënyrë, gjykata franceze konfirmon vendimet e mëhershme të dy shkallëve të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e cila e shpalli Haradinajn të pafajshëm.
"Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e përshëndeti vendimin e gjykatës franceze dhe përcolli urimet vëllazërore për të gjithë popullin e Kosovës duke u shprehur se drejtësia vonon, por nuk harron. Mirë se të vish në atdhe Ramush Haradinaj. MPJ e konsideron vendimin si një fitore të të vërtetës dhe të drejtësisë ndaj akuzave krejt të pabaza dhe të motivuara politikisht, të cilat, që në krye të herës kanë synuar të përbaltin një autoritet politik e publik, të destabilizojnë shtetin e Kosovës, dhe të barazojnë përpjekjet e popullit të Kosovës dhe të UÇK-së për liri e mëvetësi me krimet monstruoze të regjimit të Millosheviçit", thuhet në deklaratë.
MPJ ka përsëritur qëndrimin e saj se "Serbia duhet të heqë dorë nga përdorimi i urdhër-arresteve si formë presioni ndaj Kosovës."
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një statusi në profilet e tij në rrjetet sociale shkruan se "Ramush mirësezbret sot edhe njëherë fitimtar në Prishtinën tonë."
Kujtojmë se sot Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar, ka liruar Ramush Haradinajn, duke refuzuar kërkesën që ai të ekstradohet në Serbi. Haradinaj më 4 janar të këtij viti ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.