Ivana Ramadanova
16 Qershor 2017•Përditësim: 16 Qershor 2017
SHKUP (AA) – Delegacionet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) promovuan në Shkup programin e ri rajonal për demokraci lokale, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky program me vlerë 10 milionë euro, financohet nga BE-ja, ndërsa do të zbatohet nga UNDP gjatë 36 muajve të ardhshëm në gjashtë shtete dhe territore në Ballkanin Perëndimor.
Kreu i departamentit për Bashkëpunim në kuadër të BE-së, Nicola Bertolini, tha se "qëllimi i tij është të forcojë demokracitë lokale duke mundësuar bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile që punojnë projekte të integrimit dhe ato sociale".
Pritet që gjatë tre viteve të ardhshme, ky program të ndihmojë zbatimin të rreth 200 projekteve me interes publik në Ballkanin Perëndimor, ku do të përmirësohen shërbimet dhe cilësia e jetës të mbi 40.000 njerëzve.
“Organizatat e shoqërisë civile që punojnë në nivel lokal kanë nevojë për më shumë burime. Autoritetet lokale duhet të zhvillojnë një mënyrë më transparente të alokimit të fondeve për organizatat e shoqërisë civile, që duhet të bëhet në bazë të meritës. Programi i ri do të punojë me të dyja palët për të gjetur një zgjidhje për këto sfida dhe në të njëjtën kohë do të ndjek zbatimin e projekteve nëpër komunat”, tha përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Luiza Viton.
Përveç kësaj programi do të ndihmojë në promovimin dhe lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe komunave në Ballkanin Perëndimor, duke organizuar ngjarje rajonale, shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave dhe ngritjen e kapaciteteve të menaxhimit me grantet.