Alma Çekovic
15 Shkurt 2017•Përditësim: 15 Shkurt 2017
STRAZBURG (AA) – Parlamenti Evropian (PE) miratoi të mërkurën një rezolutë mbi ecurinë e reformave në Bosnjë dhe Hercegovinë drejt Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Për miratimin e rezolutës, të përgatitur nga raportuesi i PE-së për BeH-në, Cristian Dan Preda, votuan 496 deputetë, kundër ishin 132 dhe abstenuan 67 euro-deputetë.
Raportuesi i PE-së për Bosnjë dhe Hercegovinën, Cristian Dan Prena, vlerësoi se viti 2016 ishte një vit i mirë për BeH-në, duke pasur parasysh se vendi ka dorëzuar edhe kërkesën për anëtarësim në BE në shkurt, kurse Komisioni Evropian dorëzoi pyetësorin në dhjetor.
Mbrëmë u zhvillua debati mbi tekstin e propozuar të rezolutës, gjatë të cilit eurodeputetët kroat përsëri bënë thirrje për amendamente të cilat parashikojnë që diskutimet e ardhshme për aranzhimet kushtetuese të vendit të bazohen në parimet e federalizmit, decentralizimit, subsidiaritetit dhe përfaqësim legjitim, të cilat në ditët e fundit në BiH kanë shkaktuar tone të ashpra politike.
"Reforma e ardhshme kushtetuese duhet të marrë parasysh parimet e federalizmit, decentralizimit, subsidiaritetit dhe përfaqësim legjitim dhe të marrë masa në lehtësimin e strukturës komplekse institucionale për të zvogëluar shpenzimet dhe për të rritur funksionalitetin e shtetit", thuhet në amendamentin e grupit të eruo-deputetëve të udhëhequr nga përfaqësuesit kroat Dubravka Shuica Zheljana Zovko, Ivana Maletiç dhe Marijana Petir.
Anëtari i presidencës së BeH-së, Bakir Izetbegoviç dje në Strasburg, gjatë bisedimeve me raportuesin e PE-së për BeH, Cristian Dan Preda, Presidentin e Klubit të Përfaqësueseve të PE, Manfred Weber dhe kreun e Grupit të Miqve të BeH në PE, Jasenko Selimoviç paralajmëroi për manipulimet dhe instrumentalizimin e termit "federalizim i BeH", që sipas tij jep shtytje axhendave politike reaksionare dhe ritheksoi se në BeH kërkesat për "federalizim" janë thellim i ndarjeve etnike.
Izetbegoviç është i mendimit se duhet të sqarohet, se ata që ngrenë dorën për parimet e federalizmit në Parlamentin Evropian duhet të jenë të vetëdijshëm se ku mund të çojë kjo. "Pra, me ithtarët e një formulimi të tillë duhet të qartësohet se çfarë kanë në mendje, a është kjo se në fund përsëri të kthehet në vizatim të disa hartave, të cila janë të papranueshme për ne në BeH", shpjegoi Izetbegoviç.
Ai paralajmëroi bashkëbiseduesit se kjo mbështetje mund të shfrytëzohet për tentime anti-Dejton të ndarjes territoriale të Bosnjë-Hercegovinës dhe krijimin e njësive federale të bazuara etnikisht.
Dje u prononcuar edhe deputetja nga Sllovenia Tanja Fajon, e cila shprehu keqardhje për shkak se, siç tha ajo, "Parlamenti Evropian edhe një herë u keqpërdorur për promovimin e interesave të veçanta të komunitetit kroat në BeH".
Fajon theksoi se Bosnja ka nevojë për unitet dhe vazhdimësinë e aktiviteteve në drejtim të krijimit të politikave të suksesshme ekonomike dhe sociale, në vend të rihapjes së plagëve të vjetra dhe ringjalljen e retorikës nacionaliste.