Figen Shaban
27 Mars 2017•Përditësim: 28 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë organizoi ceremoninë dhe ekspozitën për hir të 60 vjetorit të Traktatit të Romës në Biblotekën Kombëtare në Prishtinë. Në këtë ekspozitë u prezantuan 60 vitet e BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, gjatë fjalimit të saj në përvjetorin e 60 të Traktatit të Romës tha se idetë e paqës, solidaritetit në BE, jehojnë akoma fuqishëm sikurse para 60 viteve. Sipas saj, Kosova duhet të mbledhë kurajon dhe vizionin për të ecur përpara duke përdorur më të mirën nga të gjitha komunitetet dhe të ndërtojë një të ardhme të shpresës dhe suksesit.
”Fakti që shumë shtete të Evropës vendosën që t'i bashkohen BE-së tregon se sa vizionarë kanë qenë themeluesit e BE-së dhe vendosën që t'i përqafojnë idetë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Unë jam e lumtur që Kosova ka përqafuar këtë shtegëtim dhe kjo do të përkthehet në stabilitet, zhvillim ekonomik dhe lulëzim për popullin e Kosovës”, tha Apostolova.
Kurse Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, tha se nënshkrimi i Traktatit të Romës ka mundësuar anëtareve të BE-së periudhën më të gjatë të paqes gjatë historisë së tyre. Ai po ashtu theksoi se këto shtete me institucione të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta ndajnë respektin për të drejtat e njeriut, lirinë, demokracinë dhe barazinë.
“Eshtë bërë një BE e cila ka tejkaluar mundësitë dhe dallimet dhe tani ka synim që të përfshijë më shumë shtete nga shtetet kandidate sikurse Kosovën të cilën ne e mbështesim fuqimisht në shtegëtimin e saj evropian”, tha Ambasadori Sardi.
Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj tha se në 60 vjetorin e Traktatit të Romës edhe Kosova ka ambicien të anëtarësohet në mesin e të barabartëve. Ajo më tutje tha se rruga e anëtarësimit nuk është një rrugë e lehtë dhe kërkon shumë energji, angazhim dhe konsistencë nga të gjithë por çmimi për të qenë pjesë e BE-së ia vlen.
"Përkundër diskutimeve për të ardhmen e BE-së në një Evropë me një, dy apo shumë shpejtësi, ne kemi nevojë për një BE si një union i vetëm politik dhe ekonomik. Ajo duhet të përshpejtojë përpjekjet për sjelljen e Kosovës më afër BE-së dhe duhet të jetë më aktive duke penguar aktorët e tretë që të pozicionohen në rajon", tha Ahmetaj.
Ndryshe, Traktati i Romës, zyrtarisht traktati themelues i Komunitetit Ekonomik Evropian (TEEC), është një marrëveshje ndërkombëtare që çoi në themelimin e Komunitetit Ekonomik Evropian (EEC) e cila u nënshkrua më 25 mars të vitit 1957 nga Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania. Komunitetit Ekonomik Evropian më pas u shndërrua në Union Evropian dhe së fundmi në Bashkim Evropian.