Sibel Vezaj
14 Shkurt 2017•Përditësim: 14 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Partia Demokratike e Kosovës në pushtet (PDK) ka emëruar Mimoza Ahmetajn si ministre e Integrimit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga PDK-ja bëhet e ditur se Ahmetaj ka qenë ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës. Nga kjo pozitë, ka mbuluar Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Luksemburgun.
Para emërimit në pozitën e Ambasadores në Belgjikë, Ahmetaj ka shërbyer si ambasadore e Kosovës në Slloveni. Ndërkaq, më parë ajo ishte këshilltare e kryeministrit të asaj kohe të Kosovës, Hashim Thaçi ndërsa para punës në Kabinetin e Kryeministrit, ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.
Ahmetaj u emërua si ministre e Integrimit Evropian, në vend të ish-ministrit Bekim Çollaku. i cili rreth katër muaj më parë kishte dhënë dorëheqje nga ky post.