Figen Shaban
03 Korrik 2017•Përditësim: 04 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Në Fakultetin Filologjik të Universitetit Publik të Prishtinës sot u mbajt ceremonia e hapjes së “Shkollës verore të Bashkimit Evropian (BE)” organizuar bashkarisht nga projekti “Young Cell Scheme” i financuar nga BE-ja dhe “European Young Cells Alumni” (EYKA) me mbështetjen akademike dhe logjistike të Universitetit të Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Shkolla verore e BE-së e cila në fokus ka çështjet e BE-së, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), ekonominë dhe politikat e BE-së në kuadër të axhendës së BE-së dhe marrëdhëniet Kosovë-BE do të zgjasë deri më datën 7 korrik 2017.
Shefja e zyrës së BE-së, Natalia Aposatolova në fjalimin e saj në këtë ceremoni tha se të rinjtë në Kosovë janë ata të cilët do ta sigurojnë zhvillimin dhe ndryshimin e Kosovës dhe shoqërisë kosovare për të mirë. Ajo duke theksuar se “Young Cell Scheme” është themeluar 30 vjet më parë për ta zhvilluar njohurinë rreth BE-së dhe për t'i zhvilluar aftësitë dhe ekspertizën në Kosovë tha se investimi në njerëz dhe në edukimin e tyre është investimi më i qëndrueshëm i mundshëm.
“Sot 272 studentë, ndër më të sukseshshmit në Kosovë i kanë përfunduar studimet master nga fondet e BE-së në shtetet e Unionit. Ata përveç se janë duke e sjellë ekspertizën e nevojshme në Kosovë po ashtu janë duke e sjellë edhe rrjetin e tyre dhe ambicien për ta ndihmuar Kosovën në zhvillimin dhe mirëqenien e saj”, tha Apostolova.
Ndërsa, ministrja në largim e Integrimeve Evropiane të Republikës së Kosovës, Mimoza Ahmetaj thesoi se Kosova është një shembull unik në rajon ku 90 për qind e popullatës kosovare e favorizon anëtarësimin e vendit në BE. Ajo shtoi se kjo tregon se qeveria e Kosovës duhet të punojë që të artikulojë besimin e këtyre njerëzve të cilët e mbështesin BE-në pa dallime politike, etnike apo fetare për suksesin e shtetit të tyre.
Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në ajo tha se Kosova gjatë nëntë viteve që nga deklarimi i pavarësisë, ka nënshkruar MSA-në, është afër mbylljes së procesit të liberalizimit të vizave dhe është duke përfituar nga fondet e IPA-s.
“Me reformat e MSA-së të cilat do të ndikojnë direkt në bizneset dhe në ekonominë tonë është një mundësi e mirë për kompanitë tona që do të mund të eksportojnë produkte pa tarifa doganore në një treg të përbërë prej afër gjysmë miliardë njerëzish. Bizneset të cilat merren me produkte bujqësore dhe ato industriale do të mund të përfitojnë nga MSA-ja ku do të eksportojnë mallrat e tyre pa tarifa doganore” u shpreh Ahmetaj.