Sibel Vezaj
02 Shtator 2016•Përditësim: 02 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim përfaqësuesen e Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, të cilës i uroi punë të mbarë në detyrën e re, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se gjatë këtij takimi Presidenti Thaçi ka vënë në dukje se Kosova në vitet e shkuara ka bërë përparime të prekshme në jetësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke u shprehur se “Me mbështetjen tuaj do t’i tejkalojmë edhe sfidat e mbetura”, Presidenti Thaçi ka theksuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhë sa më parë, në mënyrë që kosovarët të bëhen pjesë e lëvizjes së lirë në Evropë.
Ndërkohë, shefja e re e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës, duke theksuar se do të kenë takime të rregullta për të kumtuar se çfarë nënkupton BE-ja për qytetarët e Kosovës.
"Pres me padurim të punojë me ju në avancimin e axhendës së BE-së për Kosovën, në çështjet si zbatimi i MSA-së, liberalizimi i vizave, të drejtat e njeriut dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, ku BE-ja është e angazhuar në mënyrë të barabartë me të dyja palët", u shpreh Apostolova.
Ndërkaq, Apostolova u prit në takim edhe nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku. Duke i uruar mirëserdhje në Kosovë, Çollaku shprehu përkushtimin e institucioneve për të vazhduar bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në drejtim të avancimit të axhendës evropiane për Kosovën.
Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Integrimit Evropian, thuhet se gjatë takimit ministri Çollaku ka folur edhe rreth tërheqjes nga rendi i ditës të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ai ka theksuar se BE-ja duhet të vazhdojë me procedurat e vendimmarrjes, duke marrë një vendim pozitiv për Kosovën.
Natalya Apostolova me kombësi bullgare, ishte emëruar Shefe e Zyres së BE-së për Kosovë më 20 korrik 2016, e cila prej 1 shtatorit zëvendësoi ish-shefin Samuel Zhbogar.
%2F20160902_2_18912972_13836423.jpg)
Presidenti Thaçi, sot ka pritur në takim edhe shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se gjatë këtij takimi, Presidenti Thaçi ka cekur bashkëpunimin e mirë të institucioneve të Kosovës me EULEX-in, për shtimin e kapaciteteve të reja dhe për sfidat e institucioneve të drejtësisë.
“Bashkëpunimi me institucionet dhe puna e mirë e EULEX-it kanë bërë që deri më tani ky mision të ketë shumë suksese në Kosovë. Falë mbështetjes së EULEX-it edhe institucionet tona të drejtësisë janë fuqizuar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre të punës”, ka shprehur Thaçi.
Ndërkohë, shefja e re e EULEX-it, Papadopoulou, ka theksuar se EULEX-i do të vazhdojë bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet e Kosovës, duke shprehur se “Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në konsolidimin e sundimit të së drejtës”.
Papadopoulou, diplomate e lartë greke, e mori detyrën si Shefe e re e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) duke zëvendësuar diplomatin italian Gabriele Meucci.