Sibel Vezaj
25 Janar 2017•Përditësim: 26 Janar 2017
PRISHTINË (AA)-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot priti në takim shefat e misioneve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Kosovë, si përfaqësuesen speciale të Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Alexandra Papadopoulou si dhe ambasadorët e vendeve të BE-së. Pas takimit kryeparlamentari Kadri Veseli dhe përfaqësuesja speciale e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova mbajtën një konferencë për media, raporton Anadolu Agency (AA).
Veseli gjatë fjalës së tij u shpreh se ky takim është mbajtur për ta përçuar mesazhin se Kosova është vend evropian dhe që ka orientim perëndimor.
“Integrimet euro-atlantike janë jetësore për ne, nuk janë vetëm prioritet politik por janë vetë identiteti ynë. Ne do të vazhdojmë në rrugën e integrimeve euro-atlantike në mënyrë të palëkundur dhe do të përmbushim çdo standard dhe kriter në këtë rrugëtim, i cili kërkohet nga Kosova. Kosova nuk është më shtet e as shoqëri konsumuese e stabilitetit, por është vetë kontribuues në stabilitet”, tha Veseli.
Ai shtoi se Kosova do t’i vazhdojë reformat e përmirësimit të ambientit investues në mënyrën që të transformohet në një fuqi të zhvillimit ekonomik. Kryetari Veseli së fundi theksoi se komunikimet dhe takimet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në mënyrë që të vazhdohet rrugëtimi evropian i Kosovës.
“Do ta vazhdojmë kursin e komunikimit të dialogut brenda pozitë-opozitë dhe kursin e integrimeve dhe promovimeve të drejta të gjitha komuniteteve të cilat janë në Kosovë që ky vend të jetë shembull I stabilitetit dhe i bashkëjetesës multietnike. Të njëjtën kohë do ta vazhdojmë procesin e forcimit të sovranitetit dhe të shtetësisë së Republikës së Kosovës", tha Veseli.
Kurse përfaqësuesja speciale e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova u shpreh se gjatë takimit kanë diskutuar për pikat kryesore të cilat do t’i ndjekë Kuvendi i Kosovës në vitin 2017, sidomos për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, axhendën e reformave evropiane dhe për aktet tjera legjislative të cilat janë të rëndësishme në procesin e reformimit në Kosovë.
“Ne si familja evropiane kemi përcjellë mesazhin se sa i rëndësishëm është roli i Kuvendit, kryetarit dhe të gjithë kolegëve të tij që do të bëjnë që kjo reformë të realizohet. Siç e dini MSA-ja mbulon krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e ekonomisë, sundimin e ligjit, kulturën, edukimin. Pra implementimi i MSA-së është shumë i rëndësishëm, për këtë arsye Kuvendi duhet të miratojë disa reforma legjislative në këtë raport, që janë shumë të rëndësishme në jetën e kosovarëve”, tha Apostolova.
Apostolova po ashtu u shpreh se do të vazhdojnë të kenë komunikim të ngushtë me Kuvendin dhe që prioritet i tyre do të jetë strategjia e komunikimit. Ajo së fundi theksoi se dialogu në Kuvend është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.
Ndërkaq, në fund të takimit Veseli nuk pranoi t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve rreth takimit të mbrëmshëm nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ku morën pjesë presidentët dhe kryeministrat e të dy shteteve.