Admir Fazlagikj
01 Tetor 2017•Përditësim: 02 Tetor 2017
SHKUP (AA) – Organizata qytetare për luftë kundër kancerit "Borka - për çdo ditë të re" organizoi sot një shëtitje në sheshin e qytetit në Shkup, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit në mesin e opinionit dhe institucioneve për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit në mënyrë që të ketë një shans më të madh për trajtimin më të përshtatshëm të kësaj sëmundjeje, raporton Anadolu Agency (AA).
Me shëtitjen e sotme, “Borka” nis fushatën tremujore për luftë kundër kësaj sëmundjeje.
Kryetarja e shoqatës, Biba Dodeva, në një prononcim për mediat tha se kanceri i gjirit tek gratë kërkon një trajtim të veçantë, sepse siç tha, numri i grave të prekura në Maqedoni por edhe në rrafsh global është gjithnjë e më shumë në rritje.
Me këtë shëtitje, tha ajo, synojmë rritjen e vetëdijes për kancerin e gjirit si një sëmundje potencialisht të shërueshme, dhe të inkurajojnë gratë e prekura të dalin nga shtëpitë dhe të socializohen.
“Për çdo ditë, në Republikën e Maqedonisë nga katër gra preken nga kanceri i gjirit. Statistikat flasin për 1200 të sëmurë të ri nga kanceri në gji, numri i të cilëve në vitin kur ne filluam aktivitetet si shoqatë ishte 600”, tha Dodeva, për të shtuar se qëllimi final i aktiviteteve të tyre është zbatimi i strategjisë Kombëtare për kontroll të kancerit.
Dodeva tha më tej se Maqedonia është në vendin e tretë në Evropë për shkallën e vdekshmërisë nga sëmundjet malinje.
Marshi është përkrahur edhe nga ambasada amerikane në Shkup. Ambasadori Jess Baily, në një prononcim për mediat tha se në vitin e largët 1983 në Dallas dhe në Teksas të SHBA-ve kishin filluar shëtitjet e këtilla të cilat fillimisht kishin tubuar rreth 800 persona, ndërkohë që në shëtitjet e sivjetshme anembanë botës pritet të marshojnë mbi dy milionë njerëz.
“Ky lloj i aktiviteteve ka një qëllim të rëndësishëm që është orientimi se si do të duhet të parandalohet dhe të trajtohet kanceri. Ti inkurajojnë gratë të cilat tashmë kanë një diagnozë të tillë dhe të mbështesin komunitetin e prekur nga kjo sëmundje. Vlen të theksohet se në nivel global janë regjistruar 1.7 milionë persona të ri të prekur nga kanceri i gjirit, të të dyja gjinive”, tha Baily.
Pjesë e eventit të sotëm ishin edhe një numër i madh fëmijësh të cilët performuan këngë dhe valle.