Sibel Vezaj
25 nëntor 2016•Përditësim: 26 nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka takuar përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, me të cilën ka nënshkruar marrëveshjen për qasjen e Kosovës në programet e BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga MPJ bëhet e ditur se marrëveshja e nënshkruar sot për qasje të Kosovës në programet e BE-së, ndërmjet ministrit Hoxhaj dhe përfaqësueses Mogherini, është marrëveshja e dytë kontraktuale pas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe BE-së.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka thënë se arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi që me nënshkrimin e saj Kosova do të përfitojë qasje në programe dhe projekte konkrete ku do të mund të aplikojnë sektori privat, sektori publik, shoqëria civile, institucionet akademike dhe qytetarët e Kosovës.
“Programet kanë fushë-veprimtari të ndryshme si hulumtimi dhe inovacioni, energjia dhe transporti, shëndetësia, kultura, arsimi, sporti, rinia, zhvillimi i ndërmarrësisë dhe konkurrencës, mbrojtja e ambientit, punësimi, politikat sociale e shumë fusha të tjera”, ka thënë Hoxhaj.
MPJ gjithashtu bën të ditur se “Republika e Kosovës vazhdimisht ka shprehur interes të marrë pjesë në këto programe, dhe në vitin 2009 për herë të parë Komisioni Evropian rekomandoi që të shqyrtohet mundësia e Marrëveshjes Kornizë me Kosovën”.
Ndërkaq gjatë këtij takimi në delegacionin kosovar të pranishëm ishin edhe kryeministri Isa Mustafa, ministri i Financave, Abdullah Hoti, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe zëvendësministrja Anila Statovci.
Takimi u kryesua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ndërkaq pjesë e delegacionit të BE-së ishte edhe komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.