Malik Hasa
26 Maj 2017•Përditësim: 27 Maj 2017
TIRANË (AA) – Në Tiranë sot është organizuar konferencë me temë “Rruga e Shqipërisë drejt BE-së, sfidat dhe perspektivat”, ku ishte i pranishëm edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Anadolu Agemcy (AA).
Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i mëtejshëm i Kuvendit të Shqipërisë në kontekstin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, dhe ishin të pranishëm përfaqësues të Parlamentit të Greqisë dhe Senatit të Republikës së Italisë, të Kuvendit të Shqipërisë, të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, përfaqësues nga ministritë dhe institucionet e pavarura shtetërore, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.
Duke folur në këtë aktivitet, kreu i Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interesi kryesor kombëtar dhe objektivi strategjik i Shqipërisë që në fillim të viteve 1990.
“Nuk ka asnjë dyshim se vizioni ynë drejt BE-së, mbështetet në një konsensus të gjerë të klasës politike dhe të gjithë shoqërisë shqiptare sepse integrimi i plotë i Shqipërisë në familjen evropiane, konsiderohet si alternativa e siguritë drejt një demokracie të qëndrueshme, një shoqërie moderne dhe një ekonomie të zhvilluar për qytetarët tanë. Nëse e kthejmë pas vështrimin ndër vite, është e qartë se Shqipëria ka arritur përparime të rëndësishme në kuadër të procesit të integrimit evropian. Hapi më i fundit substancial u hodh në qershor 2014, kur Këshilli Evropian miratoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Meta.
Ai ka shtuar se gjatë këtij procesi Kuvendi i Shqipërisë ka patur dhe ka ende një rol thelbësor.
“Puna jonë ka qenë e fokusuar në avancimin e reformave të nevojshme me qëllim adresimin e 5 prioriteteve kyçe të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Një prej angazhimeve më madhore dhe më komplekse ka qenë reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë”, u shpreh Meta.