Malik Hasa
28 mars 2017•Përditësim: 28 mars 2017
TIRANË (AA) – Është zhvilluar në Tiranë, Forumi i Agrobiznesit Shqipëri-Turqi, në të cilin merrnin pjesë ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik, ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Edmond Panariti, zyrtarë të lartë të dy vendeve, biznesmenë nga Turqia dhe Shqipëria, etj, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalës së tij në këtë forum, ministri Çelik ka shprehur falënderimet për mikpritjen dhe ka thënë se është i lumtur që ndodhet në një forum të tillë. Çelik në vijim të fjalës së tij ka vënë theksin tek "marrëdhëniet e mira mes dy vendeve të cilat janë me rrënjë të hershme dhe në shumë fusha". Ndërsa duke folur për investimet e Turqisë në shumë fusha në Shqipëri, Çelik është ndalur edhe tek ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, duke thënë se kjo vepër madhështore dhe ajo e Sulltanahmetit në Stamboll do të jenë një simbol dhe urë lidhëse dhe shenjë miqësie mes dy vendeve.
"Gjatë vizitës së Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani në Ankara më 21 dhjetor 2016, Presidenti jonë Recep Tayyip Erdoğan, më ngarkoi me punë për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë. Ndërkohë ekipet tona të ekspertëve janë takuar ditën e djeshme dhe kanë nxjerrë në pah një plan masash veprimi. Edhe gjatë ditës së sotme unë me homologun tim do të bisedojmë rreth këtyre çështjeve. Presidenti jonë na ka vënë një plan për të rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve në 1 miliardë dollarë", ka thënë Çelik. Ai më pas duke folur për shkëmbimet aktuale tregtare ka thënë se vetëm 11 për qind e shkëmbimeve tregtare që kapin vlerën e 326 milionë dollarëve janë në fushën e bujqësisë.
Çelik ka thënë se duke u mbështetur në përvojën dhe mundësitë e dy vendeve ai beson se bashkëpunimi në fushën e bujqësisë do të rritet ndjeshëm dhe se vetë ai do të ndjekë këtë çështje. Ai ka theksuar gjithashtu se duke parë shifrat e tregtisë së dy vendeve duket që marrëdhënia mes Turqisë dhe Shqipërisë është e ulët dhe për këtë, sipas tij, dy vendet duhet të punojnë më shumë.
Çelik ka dhënë informacione edhe mbi zhvillimet në kohët e fundit në Turqi në fushën e bujqësisë duke thënë se në saje të reformave dhe stabilitetit kohët e fundit në Turqi, vendi i tij është bërë fuqia më e madhe bujqësore në Evropë. Në vijim ai ka shtuar se është i bindur që dy vendet do të rrisin bashkëpunimin në këtë fushë. Çelik ka vënë në dukje se Turqia organizon muajin e ardhshëm forumin e agrobiznesit në Antlaya me pjesëmarrjen e 54 ministrave të bujqësisë nga vendet e Afrikës.
"Turqia është një vend i qëndrueshëm. Me prodhimet tona ne nuk ushqejmë vetëm 80 milionë qytetarë të Turqisë. Njëkohësisht ushqejmë më shumë se 3 milionë refugjatë dhe miliona turistë të ardhur në vendin tonë dhe për këtë jemi të gëzuar. Këtë gjë ne e bëjmë duke u bazuar në kulturën dhe traditën e të kaluarës së Turqisë. Bazuar në këtë ne ndajmë bukën dhe çdo gjë tjetër të mirë materiale veçanërisht me ata që u bëhet padrejtësi. Ndërkohë që disa vende të Evropës i kanë mbyllur dyert për refugjatët, shohim që kanë hapur ato për terroristët. Ne këtë nuk po arrijmë ta kuptojmë", ka shtuar më pas ministri.
Duke folur për tentativën për grusht shteti nga organizata terroriste FETO më 15 korrik, ministri Çelik tha: "E dimë që Turqia nuk është vetëm në këtë rrugë. E dimë që Shqipëria është me ne në këtë çështje. Gjatë tentativës 248 qytetarët tanë ranë dëshmorë dhe 2.134 të tjerë mbetën të plagosur. Unë shpreh besimin se miqtë tanë shqiptarë nuk do të mbajnë në radhët e tyre këto tradhtarë të FETO-s që janë përgjegjës për këtë tentativë."
Në përfundim të fjalës së tij Çelik tha se popullsia e Evropës është në plakje e sipër, ndërsa popullata më e re është ajo e Turqisë dhe pas saj vjen Shqipëria. Ai tha se popullata e re e dy vendeve do ti sjellë dinamizëm Evropës në bashkëpunimin mes tyre.
Nga ana tjetër ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave i Shqipërisë, Edmond Panariti, u preh se forumi i sotëm do t'i japë një shtysë të mëtejshme marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë.
"Detyra jonë si politikanë është të shfrytëzojmë këtë klimë të përshtatshme miqësore mes dy vendeve për të rritur marrëdhëniet tona tregtare. Duhet të dimë që ne kemi një komunitet të mirë në Turqi të cilët kanë ndikuar pozitivisht për marrëdhëniet mes dy vendeve, ashtu sikurse kanë ndikuar figura tona kombëtare në këto marrëdhënie në të kaluarën", tha Panariti. Ai ka shtuar ndër të tjera se përpara tyre ka sfida të përbashkëta për të çuar përpara veçanërisht marrëdhëniet në fushën e bujqësisë.
Panariti tha gjithashtu se integrimi në Bashkimin Evropian është synimi themelor i Shqipërisë, por sipas tij njëkohësisht dhe marrëdhëniet shumë të mira me vendet fqinje dhe veçanërisht me Turqinë janë shumë të rëndësishme. Ai e cilësoi këtë forum si shumë të rëndësishëm pasi në të ka një pjesëmarrje të gjerë dhe i cili sipas tij do të jetë shumë i suksesshëm.
Panariti në fund falënderoi Turqinë për ndihmën e dhënë gjatë përmbytjeve.