Sibel Vezaj
30 Nëntor 2017•Përditësim: 30 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë këtij takimi, i cili ka qenë i mbyllur për media presidenti Thaçi ka falënderuar ministrin britanik Mark Lancaster për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“E vlerësojmë shumë përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën. Pa ndihmën tuaj dhe të shteteve të tjera mike, Kosova nuk do të arrinte të forconte subjektivitetin e saj ndërkombëtar”, ka deklaruar Thaçi, thuhet në një komunikatë me shkrim nga Presidenca e Kosovës.
Gjatë këtij takimi presidenti Thaçi dhe ministri Lancaster kanë biseduar edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe procesin e transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës.
Ndërsa, ministri britanik Mark Lancaster, i cili më herët kishte shërbyer edhe si ushtar i KFOR-it në Kosovë, ka thënë se është i impresionuar me zhvillimet pozitive dhe ndryshimet në Kosovë.
“Kosova ka bërë një punë shumë të mirë për integrimin e komuniteteve dhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur standarde të larta”, ka thënë ministri Lancaster.
Duke folur për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, ministri Lancaster ka theksuar se Britania e Madhe e mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë ministri i Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster sot është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.
Ai sot gjatë ditës do të vizitojë edhe Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.