Fatjon Cuka
25 Qershor 2017•Përditësim: 25 Qershor 2017
TIRANË (AA) - Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri deri në orën 16:00 në qendrat që kanë raportuar të dhënat në rang vendi është 35.78 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo shifër është bërë publike nga zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, Drilona Hoxhaj, nëpërmjet një deklarate për mediat. Sipas saj nga 5.362 qendra votimi që janë në total kanë raportuar të dhënat e përditësuara vetëm 11.3 për qind e tyre.
Në qarkun më të madh në vend, Tiranë, deri në këtë orë pjesëmarrja është 36.41për qind, ndërsa pjesëmarrja më të lartë ka shënuar qarku i Beratit me 43.51 për qind, bazuar në të dhënat e dërguara nga komisionerët e qendrave të votimit në KQZ.
Hoxhaj në një deklaratë të mëparshme për mediat iu ka bërë apel komisionerëve të qendrave të votimit që të raportojnë të dhënat drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të hedhin të dhënat në sistemin e KQZ-së.
Ndërkohë, sot po zhvillohen edhe zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë së Kavajës.
Për ruajtjen e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe qendrave të votimit, Policia e Shqipërisë ka angazhuar 5851 punonjës policie.
Nga ana tjetër në disa qendra votimi janë shënuar edhe incidente, ndërsa në Tiranë policia ka arrestuar dy persona për veprën penale "Shkelja e fshehtësisë së votimit."
Në këto zgjedhje marrin pjesë 18 parti politike, të cilat kanë regjistruar 2666 kandidatë për deputetë, ndërsa në KQZ nuk ka të regjistruar koalicione.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, në të gjithë territorin e Shqipërisë kanë të drejtën e votës, 3 milion e 452 mijë e 260 shqiptarë të cilët janë të regjistruar për të votuar në 5.362 qendra votimi. Procesi i votimit është planifikuar të mbyllet në orën 19:00.