Ekip
01 Tetor 2018•Përditësim: 01 Tetor 2018
PRISHTINË/TIRANË(AA)- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke komentuar referendumin të mbajtur dje në Maqedoni për pranimin e marrëveshjes me Greqinë dhe hapjen e derës për hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, tha se “Qytetarët e Maqedonisë, me vullnetin dhe votën e tyre në referendumin demokratik, vendosën për emrin e ri dhe të ardhmen e tyre euroatlantike”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një mesazh të publikuar nga rrjeti social, presidenti Thaçi është shprehur se “Qytetarët e Maqedonisë, me vullnetin dhe votën e tyre në referendumin demokratik, vendosën për emrin e ri dhe të ardhmen e tyre euroatlantike. Votuesit e djeshëm, përfshirë edhe tërë bashkëkombësit tanë shqiptarë atje, dëshmuan qytetari dhe vullnet të qartë pro vlerave perëndimore”.
Duke shpresuar dhe uruar që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë “të marrë vendimin e duhur proevropian”, Thaçi ka theksuar se “Ballkani Perëndimor ka nevojë për lidership dhe vendime të rëndësishme, që e forcojnë fqinjësinë e mirë dhe që rajonin tonë e integrojnë sa më shpejtë në Bashkimin Evropian”.
Ndërsa, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë një deklaratë thekson se mirëpret votën “Po” të qytetarëve të Maqedonisë në mbështetje të Marrëveshjes së emrit me Greqinë, gjatë referendumit të djeshëm konsultativ.
“Inkurajojmë vijimin pa vonesë të procesit të mëtejshëm legjislativ për të iniciuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe për të zbatuar plotësisht Marrëveshjen e arritur në Prespë, si rruga e vetme për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Është koha që të gjitha forcat politike në Parlament t’i përgjigjen vullnetit të qytetarëve dhe me konsensus të gjerë të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për avancimin e rrugës euroatlantike të vendit”, thuhet në deklaratë.
Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në referendumin e djeshëm konsultativ për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE kanë dalë 36.87 për qind, prej të cilëve 91.48 për qind ose 605.016 vota e qytetarëve votuan “për”.