Figen Shaban
17 Nëntor 2017•Përditësim: 18 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Bruksel ka takuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me të cilën bisedoi për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një njoftimi, Zyra e kryeministrit kosovar njofton se gjatë takimit Haradinaj ka theksuar se me dinamikën e përcaktuar të qeverisjes së re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).
“Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave me BE-në”, thuhet në njoftim.
Duke nënvizuar se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes, Haradinaj ka theksuar se përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin. Sipas kryeministrit kosovar, Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces, i cili ka theksuar se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka nis të adresohet me fillimin e punës së Komisionit të ri shtetëror.
“Haradinaj ka potencuar se gjetjet e komisionit në raportin përfundimtar do të analizohen dhe më pas do të procedohet më tutje. Ai tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të bëhet pa pengesa”, thuhet në këtë njoftim.
Haradinaj poashtu ka bërë të ditur se Kosova është faktor stabiliteti dhe po dëshmon përkushtim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialog për normalizim marrëdhëniesh.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se dialogu duhet të riformatohet të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.
Në takimin me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.