Fatjon Cuka
17 Nëntor 2017•Përditësim: 18 Nëntor 2017
DURRËS (AA) - Kroacia mbështet përpjekjet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, në rrugën e tyre për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, deklaroi sot zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Kroacisë, Marija Pejçinoviç Buriç, në konferencën e përbashkët për mediat me homologun e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Kroacisë, Marija Pejçinoviç Buriç, dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, realizuan sot një takim trepalësh në Durrës, ndërsa në përfundim të takimit mbajtën një konferencë për mediat, ku u ndalën në çështjet kryesore të diskutuara mes tyre.
Ministrja kroate, gjatë konferencës theksoi se në takim kanë diskutuar disa çështje, mes tyre edhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ajo theksoi se "Ne mendojmë se Adriatiku është ai që na bashkon. Temat që diskutuam sot janë të lidhur me Adriatikun, për sektorët e industrisë, turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit. Anëtarësia e plotë e të tre vendeve në NATO është një vlerë e shtuar dhe ne jemi vende që jemi në gjendje të diskutojmë çështjet që i përkasin rajonit dhe Evropës Juglindore."
Sipas saj, projektet e përbashkëta të infrastrukturës mes këtyre vendeve, janë me rëndësi për rajonin. "Diskutuam për situatën në rajonin tonë, ku Kroacia i mbështet vendet e Evropës Juglindore në përpjekjet për anëtarësim në BE. Viti që vjen do të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, meqë po punon shumë për përmbushjen e kërkesave. Shpresojmë që përpjekjet e saj do të rezultojnë në hapjen e negociatave dhe Kroacia do ta mbështesë Shqipërinë për këtë proces", theksoi ndër të tjera kryediplomatja e Kroacisë
Bushati theksoi se ky takim është themeluar si nismë, për të bashkëvepruar më mirë, përsa i përket sfidave të sigurisë në hapësirën Adriatikut dhe sipas tij për të mbështetur projektet në fushën e energjisë dhe turizmit. "Sot kemi miratuar një deklaratë të përbashkët. Nga diskutimi i sotëm është e qartë që kjo platformë trepalëshe nuk zëvendëson forumet kryesore, por është një platformë e cila ka lindur si një nevojë e jona për të koordinuar më tej projektet dhe përpjekjet qe kanë të bëjnë me disa sektorë zhvillimi. Diskutuam edhe për sigurinë në hapësirën tonë dhe hapat që mund t'iu propozojmë institucioneve partnere me të cilët punojmë në përballimin e sfidave të sigurisë. Ka shumë gjëra që na bashkojnë dhe kjo platformë do të nxisë bashkëpunimin", theksoi Bushati.
Në fund Bushati tha se Shqipëria e nxit Kosovën për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Malit të Zi theksoi se gjatë takimit janë shkëmbyer mendime dhe është diskutuar edhe për stabilitetin në rajon, për luftën kundër terrorizmit dhe kontrollin e migracionit. "Anëtarësimi në NATO (i Malit të Zi) ka sjellë përfitime të menjëhershme. Do të vazhdojmë të promovojmë stabilitetin, që vjen nga integrimi në strukturat euroatlantike dhe vazhdojmë të promovojmë politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Vazhdimi i dialogut ofron një bazë për një zhvillim të mëtejshëm. Integrimi evropian është një nga fushat kryesore ku bashkëpunimi trepalësh duhet avancuar në të ardhmen", theksoi kryediplomati malazez.
Deklarata e përbashkët
Ministrat e Jashtë të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, në takim kanë miratuar edhe një deklaratë të përbashkët, duke riafirmuar rëndësinë e kësaj platforme midis tre vendeve, si "një mekanizëm që kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës Juglindore." "Ministrat theksuan rëndësinë e madhe të zgjerimit evropian në Ballkanin Perëndimor si shtysën më të madhe drejt rritjes së prosperitetit dhe sigurisë së të gjithë zonës. Ministrat e Kroacisë dhe Malit të Zi shprehën mbështetje të plotë për hapjen e shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Gjithashtu rikujtuan rëndësinë parësore të Korridorit Blu dhe të Korridorit Adriatiko-Jonian, si projekte rajonale që lidhin strategjikisht Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë. Ministrat ranë dakord që takimi trelateral i Adriatikut të mbahet në Malin e Zi, në vitin 2018", thuhet në deklaratën e përbashkët .