Fatjon Cuka
19 Qershor 2017•Përditësim: 20 Qershor 2017
TIRANË/STAMBOLL (AA) - Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, iu ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollat e Fethullah Gylenit në Shqipëri, duke e konsideruar organizatën terroriste FETO si një kërcënim dhe rrezik për Shqipërinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan, në një intervistë për televizionin Top Channel të Shqipërisë, është ndalur në disa çështje, si në marrëdhëniet Turqi-Shqipëri, rrezikun që përbën organizata FETO për shqiptarët dhe Shqipërinë, rolin e Shqipërisë në Ballkan, zhvillimet në Turqi, etj.
"Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë janë të një thellësie të pashoqe. Ne kemi qenë së bashku për 500 vjet dhe që nga ajo kohë kemi vazhduar. Shqipëria është një vend unik me shumëllojshmëri kulturore dhe fetare. Kjo bashkëjetesë është një pasuri. Ka edhe nga ata që përpiqen ta ndajnë dhe përçajnë Shqipërinë, por këtë pasuri nuk duhet ta prekë askush", u shpreh Erdoğan.
Ai ka shtuar se Turqia është e vendosur të japë çdo lloj mbështetje për Shqipërinë, sepse konsideron presidenti turk, Shqipëria është një vend i rëndësishëm për Ballkanin dhe luan një rol thelbësor për stabilitetin. "Stabiliteti i Ballkanit është i rëndësishëm, prandaj duhet ta mbajmë të bashkuar Shqipërinë. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të respektohet. Për asnjë nuk duhet të lejohen lojëra", theksoi ai.
Duke u ndalur tek organizata terroriste FETO, presidenti i Turqisë theksoi se: "Kam një thirrje të veçantë për shqiptarët. Ju lutem mos dërgoni fëmijët në shkollat e Fethullah Gylen. I dashur miku im Edi Rama, unë kam të njëjtën kërkesë dhe këtë kërkesë dua ta bëj edhe për presidentin e zgjedhur. Mos kini besim tek këto shkolla, por tek ato të Fondacionit Maarif, të themeluara nga Ministria turke e Arsimit, që rinia të edukohet në mënyrën më të mirë. Në shumë vende shkollat e Fondacionit Maarif kanë vendosur lidhje të ngushta me organizatat joqeveritare dhe Ministritë e Arsimit. Fetullaistët janë kthyer në një rrezik për Turqinë. Shqipëria është një vend me popullsi të vogël dhe ata mund të përbëjnë një rrezik edhe më të madh, pasi ata kanë synim të tërheqin fëmijët e familjeve të shëndosha që i arsimojnë, që më vonë të infiltrohen në institucione, duke rrezikuar kështu shtetin shqiptar, prandaj nuk duhet ja jepni kurrë këtë mundësi".
"Në një vend mik si Shqipëria kjo organizatë terroriste (FETO) mund të bëhet burim kërcënimi për Shqipërinë dhe mund jetë tepër vonë. Ata janë infiltruar në institucione dhe po i pastrojmë. Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga ajo që kaluam sepse mund të njëjtën gjë ta bëjnë në Shqipëri, nesër apo pasnesër. Dua të ju kujtoj që eksiton kjo mundësi dhe të merrni masat e duhura dhe që Fondacioni Maarif të vendos kontaktet me institucionet qe rinia të ndjekë shkollat e hapura", shtoi ai.
Ai ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke thekuar se debatet në këtë periudhë do të ndreqen dhe zgjedhjet do t'i bashkojnë shqiptarët "për t'iu dhënë më shumë forcë dhe do të arrini shumë në të ardhmen."
"Kemi lidhje të forta me shqiptarët. Investitorët turq po angazhohen gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Investimet turke në Shqipëri kanë arritur në nivel serioze, rreth 3 miliardë euro investime, dhe nuk do të ndalen, ku do të mbështesim rritjen e tyre, në veçanti në fushën e turizmit. Në Shqipëri kemi një rrjet të gjerë investimesh", u shpreh presidenti i Republikës së Turqisë.
Ndërsa duke u ndalur tek zhvillimet dhe përparimi i Turqisë pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik vitit të kaluar, ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, presidenti turk tha: "Pas përpjekjes për grusht nga organizata terroriste FETO, ne kemi arritur disa rezultate të rëndësishme. Këtë vit, në tremujoren e parë kemi një rritje prej 5 për qind, ku ekonomikisht renditemi të tretët, dhe kjo shifër do të rritet edh më tej në të ardhmen. Kemi marrë shumë masa sa i përket kapaciteteve eksportuese të Turqisë. Investimet po rriten, për shkak të rritjes së besimit. Gjatë referendumit të 16 prillit 52 për qind turqve mbështetën sistemin presidencial dhe ky është një hap i rëndësishëm përpara".