Vesna Besiç
27 shtator 2017•Përditësim: 27 shtator 2017
SARAJEVË (AA) – Delegacioni i lartë i Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) i kryesuar nga gjeneral nënkoloneli Metodija Veliçkovski është pritur sot në një takim zyrtar në Sarajevë nga ministrja e Mbrojtjes e Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Marina Pendesh dhe shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të BeH-së, gjeneral koloneli Anto Jeleç, raporton Anadolu Agency (AA).
Palët kanë biseduar për bashkëpunimin e deritanishëm dypalësh dhe rajonal ushtarak, duke vënë theksin te thellimi i bashkëpunimit në kuadër të frymës së nismës së re të NATO-s, “Mbrojtja e Mençur”, por edhe për bashkëpunimin në raste fatkeqësish edhe sfidat nga kriza me migrantët.
Është konstatuar se resurset e kufizuara me të cilat përballen dy vendet, pamundësojnë veprimin e njëanshëm, por se me bashkim të rocave në rajon, një gjë e tillë është e arritshme.
Ministrja Pendesh nga ana e saj është interesuar për përvojat e Maqedonisë në zbatimin e programeve Aksionale (MAP) për anëtarësim në NATO, pasi siç ka thënë vendi i saj së shpejti do të jetë pjesë e MAP-it.
Gjenerali Veliçkovski gjatë takimit me delegacionin e BeH-së ka theksuar se nuk ka tema në të cilat dy ushtritë nuk do të mund të bashkëpunonin, ndërkohë që shtoi se duhet analizuar prioritetet nga shkaku i forcimit të bashkëpunimit të mëtejmë në rrugëtimin drejt NATO-s.
Vizita e planifikuar e përfaqësuesve të lartë të ARM-së nga 26 deri më 28 shtator ka për qëllim disa aktivitete. Sipas planit delegacioni do të vizitojë qendrën e Trajnimit për Operacionet e Mbështetjes së Paqes (PSOTC) në Kampin Butmir, Komanda e EUFOR në BeH, si dhe vendet kulturore dhe historike në Konjic dhe Mostar.
Gjithashtu do të vendosen kurora me lule në përkujtim të anëtarëve të delegacioni të Maqedonisë të kryesuar nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë Boris Trajkovski, të cilët humbën jetën në një aksident ajror në Rotimlje pranë Mostarit.