Fatjon Cuka
23 Prill 2018•Përditësim: 23 Prill 2018
TIRANË (AA) - Turqia shënon sot Ditën e Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve dhe në kuadër të kësaj dite organizohen aktivitete të ndryshme edhe jashtë Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e 23 Prillit, Ambasada e Turqisë në Tiranë ka organizuar aktivitetin me pjesëmarrjen e fëmijëve nga Shqipëria dhe Turqia, ku fëmijët shqiptarë performuan për të pranishmit këngë, valle dhe recituan poezi, duke krijuar një atmosferë festive.
Për të shënuar këtë ditë, në Shqipëri ka mbërritur edhe Orkestra Simfonike e Fëmijëve e Bashkisë Tepebaşı në Eskişehir të Turqisë që do të japë një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Në hapje të aktivitetit mbajti një fjalë përshëndetëse ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili duke iu drejtuar fëmijëve të ardhur nga Turqia për koncertin theksoi se nxënësit e orkestrës do të fitojnë admirimin e të gjithë shikuesve.
"Ju sonte do të jeni krenaria jonë në këtë ditë feste për të gjithë ne, të cilën themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, ua dhuroi të gjithë fëmijëve, duke parë tek ata të ardhmen e vendit. Mustafa Kemal Ataturku dhe bashkëluftëtarët e tij në kushtet e rrethimit nga të katër anët, më 23 prill 1920 themeluan Parlamentin e Turqisë. Turqia e cila duke marrë forcën nga populli i saj zhvillohet vrullshëm dhe në mënyrë dinamike. Sot edhe ju si diplomatë artistë do ta përfaqësoni sa më mirë vendin tuaj", tha ambasadori Yörük.
Në programin artistik që ishte pjesë e aktivitetet performuan këngë, valle dhe recituan poezi, fëmijët jetimë shqiptarë të cilët mbështeten nga Fondacionin Alternativa e së Ardhmes (ALSAR).
Pjesë e aktivitetit ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve turke në Shqipëri, ndërsa Orkestra Simfonike e Fëmijëve “Dy duar kanë një zë” e cila përbehet 68 nxënës do të mbajë sonte një koncert, organizuar nga Ambasada e Turqisë në Tiranë në bashkëpunim me Institutin "Yunus Emre" në Tiranë.
Festa shtetërore e Sovranitetit Kombëtar dhe Ditës së Fëmijëve festohet më 23 prill, në ditën kur në vitin 1920 u hap Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë. Në këtë ditë në vitin 1924, u vendos që data e themelimit të Kuvendit të Madh Popullor të shënohet si festë kombëtare. Më 23 prill 1929, kjo festë iu është dhuruar fëmijëve. Që nga viti 1929 festohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe në të njëjtën kohë si Dita e Fëmijëve.