Sibel Vezaj
22 Gusht 2016•Përditësim: 22 Gusht 2016
PRISHTINË (AA) - Në Institutin Yunus Emre në Prishtinë, sot u organizua një konferencë, ku zyrtarë të ardhur nga Turqia njoftuan publikun e Kosovës lidhur me studimet në distancë, të zhvilluara nga Ministria e Arsimit në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë të pranishëm ishin drejtori i Përgjithshëm i “Të mësuarit gjatë gjithë jetës”, të Ministrisë së Arsimit në Turqi, Ali Riza Altunel, kryetar i Departamentit pranë Ministrisë së Arsimit në Turqi, Mehmet Zeki BAŞYEMENİCİ, këshilltari i Arsimit në Ambasadën Turke në Prishtinë, Şaban Cengiz, përfaqësues i Universitetit Anadolu, profesor i asociuar, Köksal Büyük, si dhe përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme në Kosovë.
Gjatë kësaj konference, drejtori i Përgjithshëm i “Të mësuarit gjatë gjithë jetës”, në Ministrinë Turke të Arsimit, Ali Riza Altunel, bëri të ditur se dëshirojnë t’i njoftojnë komunitetet miq me programin për ta përfunduar shkollën e mesme dhe atë universitare në distancë, i zhvilluar nga Ministria e Arsimit në Turqi. Ai u shpreh se janë këtu për t’i shpjeguar këto mundësi edhe kosovarëve, të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga ky program, i cili zhvillohet në vende të shumta të Evropës, Kaukazit, Amerikës, dhe pothuajse në të gjitha vendet e botës.
Altunel theksoi se ata që nuk kanë pasur mundësinë që ta përfundojnë arsimimin e tyre, mund ta bëjnë këtë nëpërmjet programit të tyre të zhvilluar në Universitetin Anadolu, i cili tani funksionon në Kosovë, për arsimimin universitar. Ai shtoi se tani dëshirojnë që kjo mundësi t’iu jepet edhe atyre që dëshirojnë ta përfundojnë shkollën e mesme.
Ai gjithashtu bëri të ditur se diplomat që jepen nga ky program, përkatësisht nga Ministria e Arsimit të Turqisë, kanë akreditim dhe janë të pranueshëm në gjithë botën. “Ne e filluam këtë njoftim sot për herë të parë në Kosovë. Mendoj se me këtë mund të shihet edhe rëndësia që i jep Turqia Kosovës”, u shpreh Altunel.
Ndërkohë, Köksal Büyük, profesor i asociuar nga Universiteti Anadolu, u shpreh se arsimimi në distancë nga ky universitet në Kosovë po zhvillohet gjatë 5 viteve të fundit, kurse edhe në 12 shtete të Evropës vazhdojnë shërbimet e tyre. “Qëllimi jonë kryesor është që të kontribuojmë për vazhdimin e arsimimit të turqve që jetojnë jashtë vendit dhe të komuniteteve miq, të cilët e njohin gjuhën turke”, u shpreh Köksal.
Ai shtoi se në Kosovë, janë të shumtë personat të cilët preferojnë të studiojnë në Universitetin Anadolu, nëpërmjet arsimimit në distancë, si ata të cilët dëshirojnë të kenë një diplomë nga Turqia, ashtu edhe ata të cilët dëshirojnë të përfundojnë studime në një universitet të dytë.
Duke vënë në dukje se Universiteti Anadolu do të vazhdojë të përkrahë arsimimin në Kosovë, Köksal u shpreh se “Ne realizojmë provime katër herë në vit, dhe vijimi në mësime nuk është obligativ. Ne mundohemi që ta rrisim nivelin e edukimit nëpërmjet materialeve mësimore në internet. Domosdo bëhuni pjesë e njërit prej programeve tona, sepse kjo do të mundësojë zhvillimin tuaj, ku diplomat e marra do të jenë të vlefshme dhe të akredituara në gjithë Evropën."
Kjo konferencë informuese për publikun nesër do të zhvillohet edhe në Shqipëri, kurse në ditët në vijim edhe në Maqedoni dhe Bullgari.