Në Kosovë u hap ekspozita me artin e tezhibit “Müstesna”
“Müstesna” përmban rreth 30 vepra, përfshirë punime të tezhibit, miniaturës dhe lidhjes së librave

Prishtinë
Në qytetin e Prizrenit u hap ekspozita me titull “Müstesna”, e përbërë nga veprat e artistes së tezhibit, Dr. Mesude Hülya Doğru, e organizuar në bashkëpunim mes Zyrës së Këshilltarit për Kulturë dhe Promovim të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë dhe Institutit Yunus Emre (YEE), raporton Anadolu.
Ekspozita, e hapur në sallën e konferencave të YEE-së në Prizren, mblodhi pjesëmarrës si konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Prizren, Fatih Topçu, koordinatori i YEE-së për Kosovë, Ramazan Yılmaz, këshilltari për Kulturë dhe Promovim i Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, Ahmet Sacit Açıkgözoğlu, koordinatorja e TIKA-s për Kosovë, Fulya Aslan dhe përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, si dhe të ftuar të tjerë.
Këshilltari për Kulturë dhe Promovim, Açıkgözoğlu, në një prononcim për Anadolu theksoi se vëllazëria e lashtë mes popujve të Kosovës dhe Turqisë ka një histori të gjatë.
Ai vuri në dukje se midis Turqisë dhe Kosovës ekzistojnë pika të përbashkëta në arkitekturë dhe në artet e librit dhe se shembuj të përbashkët arkitektonikë gjenden në rajone të ndryshme të Kosovës.
“E dimë se edhe në Kosovë ka libra të shkruar me dorë, por artet brenda tyre në njëfarë mënyre janë harruar. Punët e bukura që zhvillohen sot nga mjeshtrat në Stamboll dhe në universitete të ndryshme të Turqisë, po rikujtohen përmes kësaj ekspozite, me qëllim që të mos harrohet e kaluara. Ky është një hap i parë, ndërsa synimi ynë është që në të ardhmen të shkojmë deri te restaurimi i veprave të shkruara me dorë dhe i arteve të ndryshme brenda tyre”, tha Açıkgözoğlu.
Ndërkaq, koordinatori i YEE-së për Kosovë, Yılmaz, deklaroi se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të organizojnë ekspozita, punëtori dhe aktivitete të tjera që lidhen me artet tradicionale turke. Ai theksoi se në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt edhe një punëtori mjaft e suksesshme në kryeqytetin Prishtinë.
Doğru, e cila është në prag të 40-vjetorit të karrierës së saj artistike, theksoi se ekspozita “Müstesna” përmban rreth 30 vepra, përfshirë punime të tezhibit, miniaturës dhe lidhjes së librave. Më pas, Doğru u dha vizitorëve të pranishëm informacione mbi veprat e ekspozuara.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.