
Shkup
Sot në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup u mbajt ceremonia e 15-të e diplomimit, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e mbajtur në kampusin e IBU-së morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, deputetë, kryetarë komunash, politikanë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe lokale në vend, studentë dhe familje.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Mexhiti tha: “Universiteti nuk është një stacion për t’u ndalur dhe të presësh, por një urë që kërkon përherë kalimtarë të vetëdijshëm për përmasat e rrugës që kanë përpara. Kalimtarë të guximshëm dhe që nuk lodhen. Studentët janë shtylla morale dhe intelektuale e kësaj ceremonie por edhe e shoqërisë”.
Ndërkaq, Janevska tha gjithashtu se sot ishte një ditë e gëzueshme për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë.
Duke i uruar studentët e diplomuar për suksesin e tyre, Janevska theksoi se të diplomuarit janë udhëheqësit e së ardhmes dhe u bëri thirrje të krijojnë shoqëri të mirë.
- “Qëndrojmë përkrah studentëve palestinezë, qëndrojmë përkrah Gazës”
Nga ana e tij, ambasadori turk Ulusoy tha se një dimension i rëndësishëm i bashkëpunimit të Turqisë me Maqedoninë e Veriut, me të cilën ka lidhje të ngushta historike, kulturore dhe njerëzore, janë aktivitetet arsimore dhe kulturore.
“Në dritën e politikës sonë të jashtme të përqendruar te njeriu, ne gjithmonë kemi mbështetur zhvillimin e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e saj në çdo fushë, përfshirë arsimin, me institucionet tona të ndryshme, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne vazhdojmë aktivitetet tona në fushën e arsimit dhe të kulturës pa ndërprerje, me vetëdijen se investimi në njerëz është investimi më i rëndësishëm”, tha Ulusoy.
Anëtari i Bordit të IBU-së, Ajdovan Ademoski, u bëri thirrje studentëve të diplomuar të jenë të guximshëm në jetë.
Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lütfi Sunar, u shpreh: “Ndërsa festojmë diplomimin, duhet të kujtojmë edhe ata që nuk mundin të festojnë. Në Gaza, në Palestinë, studentë si ju humbën gjithçka, shkollat e tyre u shndërruan në pluhur, ëndrrat e tyre janë nën rrënoja. Ne nuk mund të heshtim, nuk mund të harrojmë. Si universitet, ne e ngremë zërin tonë për ta, qëndrojmë përkrah studentëve palestinezë, qëndrojmë përkrah Gazës”.
Kjo ishte gjenerata e 15-të e studentëve që u diplomuan në IBU. Studimet i përfunduan 350 studentë universitarë dhe pasuniversitarë nga departamente të ndryshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.