Bota

BE-ja dëshiron të diversifikojë furnizimin me gaz natyror

"Në këtë çështje BE-ja ka një situatë të veçantë. Jemi shumë të varur nga gazi dhe importi i gazit. Kjo na bën të dobët", tha presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen

Ata Ufuk Şeker  | 20.10.2021 - Përdıtësım : 20.10.2021
BE-ja dëshiron të diversifikojë furnizimin me gaz natyror

Bruksel

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se janë të varur ekstremisht nga importi i gazit natyror dhe se kjo është shndërruar në dobësi ku si rrjedhojë BE-ja duhet të diversifikojë furnizuesit e saj me gaz natyror dhe të përshpejtojë kalimin në energji të pastër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Von der Leyen bëri një postim nga llogaria e saj në median sociale lidhur me rritjen e çmimeve të energjisë për të cilën ajo potencoi se kjo ka ndikuar të gjithë botën.

"Në këtë çështje BE-ja ka një situatë të veçantë. Jemi shumë të varur nga gazi dhe importi i gazit. Kjo na bën të dobët", tha Leyen.

Ajo më tej shtoi se BE-ja duhet të diversifikojë furnizuesit e saj me gaz natyror dhe duhet të përshpejtojë kalimin në energji të pastër.

Presidentja e KE-së tha se qytetarët presin që të ndërhyhet me shpejtësi për këtë çështje dhe se përparësia e tyre është të sigurojnë ndihmë për familjet e varfra dhe bizneset.

Von der Leyen shpjegoi se në përputhje me rregullat e BE-së vendet anëtare përballë rritjes së çmimeve në energji mund të japin ndihmë publike dhe mund të vendosin me shpejtësi në veprim masa të tilla si mbështetje me objektiv konsumatorët dhe ndërprerje në taksat e energjisë.

- "Do të kontaktojmë me furnizues të rinj të gazit"

Duke vënë në dukje se KE-ja do të kalojë në veprim për t‘u dhënë fund spekulimeve në tregjet e energjisë, Von der Leyen theksoi se do të vlerësojnë funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe se do të kontaktojnë me furnizues të rinj të gazit.

Ajo shtoi se do të vlerësojnë edhe mundësinë e formimit të rezervave strategjike të gazit dhe blerjen e përbashkët të gazit si dhe kanë përshpejtuar investimet e rinovueshme.

Fillimi i rimëkëmbjes ekonomike në nivel global kohët e fundit, rriti kërkesën për gaz natyror në të gjithë botën dhe çmimet u rritën me shpejtësi pasi kërkesat për gaz natyror mbetën të qëndrueshme.

Çmimi i gazit natyror në kontratat me afat mujor në Evropë, shënoi rritje me mbi 600 për qind në vitin e fundit. Në Evropë ku rreth 20 për qind e prodhimit elektrik përballohet nga gazi natyror, rënia e prodhimit të energjisë elektrike në hidrocentrale për shkak të thatësirës dhe rënia e prodhimit të energjisë elektrike nga energjia e erës e rriti domosdoshmërisht pjesën e gazit në prodhim. Në Evropë edhe çmimet e energjisë elektrike u rritën me shpejtësi për shkak të rritjes së çmimeve dhe rritjes së kërkesës së gazit natyror.

Me ardhjen e muajve të dimrit, në vendet evropiane pritet që të rriten edhe më tej çmimet e energjisë elektrike dhe kërkesa për gaz natyror. Ndërkohë edhe konsumatorët në Evropë ankohen për çmimet në rritje të gazit natyror dhe të energjisë elektrike.

Vendet anëtare të BE-së në Samitin e Liderëve të BE-së që do të mbahet në Bruksel më 21-22 tetor do të bisedojnë edhe për rritjen e çmimeve të energjisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.